AMP arreston një polic në Tiranë, përplasi për vdekje me makinë 66-vjeçarin që lëvizte me biçikletë
Një punonjës policie është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), pasi u përfshi në një aksident rrugor në Tiranë, ku humbi jetën një 66-vjeçar.
Aksidenti ndodhi sot më 15 tetor, rreth orës 00:45, në kryqëzimin e Laknasit, raporton noa.al.
Sipas të dhënave të policisë, automjeti që drejtohej nga efektivi 32 vjeçar me inicialet I.T. përplasi 66-vjeçarin S.M., i cili po lëvizte me biçikletë. Për shkak të përplasjes, i moshuari humbi jetën.
Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se nuk kishte konsumuar alkool, me vlerën 0.00 mg/l.
Për ngjarjen u njoftua Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila kreu arrestimin e efektivit.
Ndërkohë, grupi hetimor po vijon veprimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit dhe për të dokumentuar ligjërisht ngjarjen. /noa.al
