Lajme

Një grup qytetarësh në Tiranë vijon protestën para Kryeministrisë, kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Një grup qytetarësh në Tiranë kanë vijuar edhe mbrëmjen e sotme protestën para godinës së Kryeministrisë.

Protesta, e cila zhvillohet prej 163 ditësh, vijon të ketë të njëjtat kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e kastës së vjetër politike.

Protestuesit kanë bërë të ditur se nuk pranojnë dialog me kreun e qeverisë, raporton ATSH.

Ata theksojnë se do të vijojnë protestën dhe qëndrimin përpara godinës së Kryeministrisë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Ndërkohë ka hyrë në fuqi paketa ligjore kundër dhunës urbane, e cila përfshin gjashtë instrumente ligjore që synojnë parandalimin e akteve të dhunës, mbrojtjen e pronës publike dhe private, si dhe forcimin e përgjegjësisë individuale të personave që shkaktojnë dëme gjatë tubimeve.

Ndryshimet në ligj parashikojnë që personat përgjegjës për dëmtimin e pronës do të detyrohen të përballojnë financiarisht dëmet e shkaktuara.

Paketa parashikon gjithashtu gjoba deri në 500 mijë lekë për personat që fshehin identitetin dhe nuk i përgjigjen thirrjeve të Policisë gjatë tubimeve.

Të Ngjashme