Lajme

Një muaj paraburgim për Gani Gecin, reagon avokati Berisha

Avokati i ish-deputetit të LDK-së, Gani Gecit, Besnik Berisha, vendosjen e masës së paraburgimit prej 30 ditësh e ka cilësuar si të papërshtatshme ligjërisht e të panevojshme.

Berisha tha se kjo masë është në kundërshtim me secilën praktikë që gjykata e ka zbatuar deri më sot, teksa paralajmëroi se do të ankohen në Gjykatën e Apelit.

Gecit iu caktuan 30 ditë paraburgim, avokati Berisha: Ka papërshtatshmëri ligjore, do ta apelojmë

“Gjykata sapo përfundoi seancën dëgjimore ndaj Gani Gecit. Është vendosur për masën e paraburgimit. Gjykata e ka aprovuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit. Është caktuar masë paraburgimi prej 30 ditë. E cilësojmë si vendim absolutisht në papërshtatshmëri ligjore, absolutisht i panevojshëm dhe në kundërshtim me secilën praktikë që gjykata ka zbatuar deri më sot. Jemi të bindur se masa e paraburgimit është caktuar për shkak të emri të përveçëm e jo për shkak të kushteve ligjore, por gjithsesi besojmë fuqishëm se do të korrigjohet në seancën e parë që do të jetë në Gjykatën e Apelit që do të jetë një ankesë që do të ushtrohet brenda afatit ligjor. Nuk ka asnjë dilemë që Geci e respekton fjalën e lirë, bashkë me të edhe unë dhe secili qytetar i Kosovës. Ka një keqkuptim në mes asaj që është kërkuar dhe asaj që është denoncuar”, tha Berisha.

Tutje, ai u shpreh se Geci ka kërkuar që të mos i linçohet familja dhe të mos pretendohet që ai apo familja e tij kanë ndonjë lidhje me Serbinë. Berisha e përmendi se prokurori e kishte shkruar kërkesën e Gecit ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj duke i thënë “pashë një Zot largoje [postimin] sepse kështu kemi me u vra”.

Berisha: Geci ka kërkuar që të mos i linçohet familja, por jo në mënyrë kërcënuese

“Pra, Geci ka kërkuar që të mos i linçohet familja me Serbinë e të mos pretendohet që këta kanë lidhje ose në çfarëdo forme asocojnë me Serbinë. Përndryshe nuk ka asnjë pretendim. Kanë qenë lutje për ta hequr “pashë një Zot” e kishte shkruar prokurori “pashë një Zot largoje sepse kështu kemi me u vra”. Mos të harrojmë se më 19 tetor të vitit 2001 Geci ka qenë viktimë e një sulmi tinzar ku janë vrarë miqtë e tij më të ngushtë e në mesin e tyre edhe një gazetar. Geci e ka perceptuar se një shkrim i tillë mund të çojë në nxitje të urrejtjes që mund të shpie në cenimin e sigurisë dhe jetës së familjes dhe ka kërkuar heqjen e postimit por jo domosdo e ka bërë në mënyrën kërcënuese ose kanosëse për të cilën pretendohet”, tha Berisha 

Ndërkohë, vëllai i Gani Gecit, Fadili, ka thënë se janë familje shtetformuese e jo shtetpërfituese.

Geci dyshohet se e ka kanosur gazetarin Lirim Mehmetaj të dielën, për shkak të një postimi të publikuar në rrjetin social Facebook lidhur me deputetin Fatos Geci, anëtar i familjes Geci nga Llausha.

Të Ngjashme