Procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe të akuzuarve të tjerë në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, si për shkak të aktakuzave dhe dënimeve të mundshme, ashtu edhe për debatet që lidhen me drejtësinë, trajtimin e krimeve të luftës dhe rolin e Gjykatës Speciale. Krahas procesit për krime lufte, Thaçi po përballet edhe me një rast të veçantë që lidhet me pretendimet për pengim të drejtësisë.
Më 17 nëntor, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do ta shpallin aktgjykimin në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të akuzuarve të tjerë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Sipas njoftimit të gjykatës të hënën, gjyqtari i vetëm i çështjes, Charles L. Gosnell, e caktoi shpalljen e aktgjykimit në orën 10:00.
Në këtë rast, përveç Thaçit, të akuzuar janë Bashkim Smakaj, ish-shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Isni Kilaj, ish-kryetar i Malishevës, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, ish-ministër i Drejtësisë.
Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat ndaj tyre.
Ish- eprori i UÇK-së, Naim Miftari, thotë se Thaçi mund të dënohet edhe me gjashtë vite të tjera.
Sipas tij, rëndësia qëndron që UÇK nuk ka kryer krime kundër njerëzimit dhe se ka pasur luftë të pastër.
“Hashimi dënohet edhe me 6 vjet të tjera. Sa i përket ankesës në apel, ndoshta zbutet ose i shtohet dikujt dënimi, por pafajësi nuk besoj se do të fitojë ndonjëri nga të akuzuarit. Në gjykatën e apelit do të shohim sa do të jetë ndikimi i shërbimeve sekrete, disa prej këtyre shërbimeve armiqësore e disa shërbime të shteteve miqësore. Dhe nëse arrijnë të ndikojnë shërbimet sekrete franceze, serbe edhe ruse, dihet mirë se kujt do t’i lirohet barra e dënimit e kujt do t’i shtohet.
Me rëndësi është se nuk është dëshmuar që UÇK-ja ka kryer krime kundër njerëzimit, domethënë ka qenë luftë e pastër, por me disa krime që individë, ndoshta edhe në uniformë e në zinxhir komandues, e kanë keqpërdorur luftën dhe forcën për arritjen e qëllimeve të tyre. Si, për shembull, H. Thaçi, shkrimi i komunikatës së rrejshme, komplet numër 59, kundër Gani Gecit dhe familjes së tij, si dhe zhdukja dhe vrasja e atdhetarit Behajdin Allaqit dhe të një personi me emrin Shaban Shala. Dhe Gjykata Speciale është e Kosovës, gjersa nuk bëhet ndonjë proces tjetër gjyqësor ku dënohen me fakte si tradhtarë pro-rusë, pro-serbë… 84 deputetët e Parlamentit të Kosovës që e kanë votuar këtë gjykatë!”, deklaron Miftari.

Naim Miftari
Sipas tij, asnjë njëri nuk është dënuar pse ka luftuar kundër Serbisë.
Ai përmend edhe dobësit e Gjykatës Speciale.
“Gjykatësit, prokurorët dhe hetuesit, të gjithë janë amerikanë ose evropianë, nuk janë as serbë dhe as rusë. Askush, asnjë njeri, nuk dënohet pse ka luftuar kundër Serbisë, edhe nëse gjatë luftës, gjatë betejave, kanë vrarë policë, ushtarë e paramilitarë serbë, por dënohen ata që kanë thyer rregullat e luftës, për të cilat ka deri diku dëshmi se, për interesa private apo interesa klanore e politike…
Dobësia e GJKS-së është mosmarrja me krimet serbe, që kanë bërë 99% të krimeve në tërë Kosovën, dhe paraburgimi i tejzgjatur. Dobësi kanë qenë edhe mbrojtja e dëshmitarëve që janë gjuajtur, janë vrarë, janë kërcënuar dhe ka pasur presion të papërballueshëm. Të gjithë dëshmitarët janë sulmuar e janë etiketuar si dorë serbe, gjë që nuk është fare e vërtetë kjo!”, përfundon ish- eprori i UÇK-së.
