Lajme

Një shekull jetë mes sfidave dhe dhimbjeve, jeta e gruas nga Gllogovica që jetoi 106 vjet

Këtë fillimkorriku Kosova e humbi njërën nga gratë më jetëgjata.

Xhezide Hajdini, vdiq në ditën e dytë të këtij muaji, në moshën që sipas familjarëve ishte 112 vjeçare, por që si pasojë e regjistrimit të vonshëm, me dokumente kishte të evidentuara 6 vjet më pak.

Gruaja që pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Gllogovicë, fshat ky i largët i Prishtinës, ishte martuar në moshën 16 vjeçe, për t’u bërë nënë e një vajzë e një djali dhe gjyshe e stërgjyshe e rreth 170 pasardhësve.

Të bijën e ka ende gjallë, është 86-vjeçe.

Mbesa e saj, Gane Hajdini e kujton si një grua të fortë, bujare, e të dashur që nuk e ndali punën deri në moshën 80 vjeçare. Ajo madje kishte vullnetin që edhe të qëndiste rroba deri në atë kohë, derisa gjithçka mori një kthesë tjetër.

Në moshën 84 vjeç theu njerën këmbë, e në moshën 102 vjeç edhe tjetrën. Qëndroi në shtrat për nëntë vjet e gjysmë rresht por kujdesi nuk i mungoi asnjëherë, meqë në tri dekadat e fundit jetoi në Prishtinë.

Hajdini: Ka mbetur në shtrat nëntë vjet e gjysmë, e kemi këqyr sa me pasë pasë shtatë herë nënë

“Deri afër 80 e diçka ka punuar. Në moshën 84-vjeçare e ka thyer këmbën, kukën. E kemi operuar, ka ecur deri moshën 102 vjeç. Në moshën 102-vjeçe u rrëzua, prapë e ka thyer edhe protezën, këmbën tjetër, edhe ka mbetur në shtrat nëntë vjet e gjysmë. E kemi këqyr shumë, se ne jemi dy motra e dy vëllezër, e kemi këqyr shumë, se s’kemi lënë me ikë për asgjë. E kemi këqyr jo si gjyshe, po sa me pasë pasë shtatë herë nënë. Kemi ndenjur afër, nuk e kemi lënë vetëm asnjëherë. Jemi përkujdesur për të shumë edhe ka pasur një jetë të mirë, ka pasur një jetë të lumtur kur ne kemi qenë veç afër saj”, tha Hajdini.

Ajo përjetoi edhe Luftën e Dytë Botërore, ndërsa mbesës ia kishte rrëfyer një moment të vështirë nga ajo kohë, derisa në këtë të fundit nuk kishte lëvizur nga shtëpia.

Hajdini: Në Luftën e Dytë Botërore kishte dy fëmijë para gjoksi, i ka pshtu nga granatimi

“Ka heqë shumë edhe kur ka qenë Lufta e Dytë Botërore, po flas me fjalë qysh na ka tregu. Kur kanë gjuajtë e kanë granatu, ajo i ka pasë dy fëmijë të vegjël, edhe tregonte: ‘I kam marrë fëmijët afër, para gjoksit për mos me i marrë granata edhe i kam futë, i kam shtri brenda në një shtëpi të vogël, një shtëpi ndoshta me lloç, qysh ka qenë atëherë’. U kanë lufta që kjo veç në Kosovë, ajo asnjëherë nuk ka pranuar për me ikë, me dalë prej shtëpisë, gjithmonë ka ndenjtë në shtëpi me babëgjyshin, me njeriun. Nuk u largu prej shtëpisë asnjëherë”, tha ajo.

Fëmijëria e Ganës është e mbushur me kujtime të bukura me gjyshen, derisa sot kur shtëpia qëndron ende në këmbë, ajo brenda dhomës së saj në shtëpnë e vjetër i sjell në rikujtesë disa momente.

Hajdini: Na ka dhënë bukë, s’na ka lënë asnjëherë anash, na thërriste “Hajde te nëna, hajde se ju ka qitë nëna kafe”

“Na ka gatuar, na ka dhënë bukë, s’na ka lënë asnjëherë anash. Gjithmonë na ka thirrur, gjithmonë: ‘Hajde te nëna, hajde se ju ka qitë nëna kafe. Hajde se e ka ndezur nëna stufën, hajde nxehuni’, se ne kemi qenë fëmijë e dilnim luanim shumë me borë, dilnim shumë, u lagnim shumë: ‘Hajde te nëna se jeni ftohur, hajde te nëna rrini me mua’, kështu. Kam shumë kujtime, po më duket se po e shoh këtu duke na thirrur”, kujton mbesa.

Zemërgjerësia e gjyshes Xhezide vërehej edhe kur vinin mysafirët, e cila e thoshte gjithmonë një shprehje “Një shtëpi që ka mysafirë, ka edhe bereqet”. Madje, kishte raste edhe kur në odën e shtëpisë bënte bukë edhe në orët e para të mëngjesit. Këtë shprehi ua la porosi pasardhësve të saj.

Hajdini: Na ka lënë porosti “Mos të del musafiri prej shtëpisë tonë pa ngrënë bukë edhe pa pi”

“Gjithmonë… gjithmonë ajo ka pyetë: ‘A kanë ngrënë bukë?’, vete a ka ngrënë bukë. Ka ndodhë në dy të natës, në tre të natës është çu, u ka qitë krelana, u ka qitë çaj. I ka pritë… kurrë pa ua parë mrrolin asnjëherë, asnjë njeriu. Pavarësisht sa ka qenë e lodhur me punë apo sa ka qenë e mërzitur, gjithmonë mysafirët i ka pritë me qehre edhe me disponim shumë të mirë. Gjithmonë na ka dhënë porosi, gjithmonë ka thënë: ‘Mos t’ju vjen mërzi prej musafirit, pritne musafirin me aq sa keni mundësi. Se kushdo, çika ime, nuk vjen me ngrënë, se secili ka me ngrënë në shtëpi të vet. Po pritne musafirin me një mirësi të madhe, me një buzëqeshje. Pavarësisht a jeni të nervozuara, a jeni të lodhura, musafirin pritne qysh është mënyra më e mirë’. Vetë gjithmonë… se na ka dhënë bukë shumë me dorë të vet… Vetë gjithmonë musafirin: ‘A ke ngrënë bukë?’. Mos e vet vetëm një herë, vetë dy-tri herë se ndoshta ngushtohet. Mos të del musafiri prej shtëpisë tonë pa ngrënë bukë edhe pa pi”, shtoi Hajdini.

Si një familje që kishte mbi 60 copë dhenë, dhi e lopë, kultivimi i produkteve të tyre ishte gjithëherë në rutinën e saj në çilerë. Por, ajo nuk e kishte zakon t’i shiste ato, meqë i kishte vetëm për familjen dhe mysafirët.

Hajdini: Ka punuar me mamin, kanë zënë djathë shumë, nuk ka shitur asnjëherë

“Ajo ka punuar me mamin tim, kanë zënë djathë shumë, kanë bërë tlyen, tomël, kanë kultivuar shumë. Nuk ka shitur asnjëherë. Po musafirë kur kanë ardhë, dajat apo kushdo që ka pasur qejf, ua ka dhënë këtë djathë, këtë mazë, këtë tlyen. Kush ka pasur qejf po dua, ‘çika jem e kam zënë, po dua për qejf me ua dhënë’. Gjithmonë kush ka ardhë, asnjëherë nuk e ka lëshuar duarthatë pa i dhënë djathë apo tomël apo uh tlyen, qysh i ka kultivuar ajo gjithmonë. E këtu po, ka qenë çiliri i bylmetit. Këtu e kemi pasur shtëpinë e vjetër, ka qenë kuzhina, ka qenë shumë shumë e vjetër. gjithmonë i piqte bukat e nxehta edhe shkonte në çiler edhe na i lyente, na qiste copë djathë apo turshi, mbushte edhe… “Ecni, ecni me ngrënë bukë, mos dilni me luajtur pa ngrënë bukë, se i kam pjekur bukat e nxehta edhe po dua me ju dhënë bukë të nxehtë me djathë”. Kurrë në jetë nuk na ka lënë neve me dalë me luajtur pa ngrënë bukë, edhe fëmijët e lagjes po ashtu. Gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë”, theksoi ajo.

Gjyshja Xhezide tashmë prehet në varrezat e fshatit, pranë burrit që I vdiq 20 vjet më parë, si edhe të birit dhe resë, nënës së Ganes. Kjo e fundit, kishte vdekur vetëm dy ditë pas vjehrrit më 2007. 

Të Ngjashme