SPAK njoftoi këtë të premte se ka goditur një grup kriminal të trafikimit të heroinës në Danimarkë dhe Shqipëri, përmes Suedisë, ku janë lëshuar dy masa sigurie.
Pas kërkesës së SPAK, GJKKO ka vendosur masa sigurie për dy vëllezërit, Ermal dhe Marsel Liçaj, të cilët akuzohen për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup kriminal.
Mësohet se në pranga ka rënë Marsel Liçaj, ndërsa ndaj Ermal Liçaj janë ekzekutuar masat “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, gjithçka ka nisur në gusht të vitit 2023, kur autoritetet daneze kanë regjistruar procedimin e koduar “Operacioni Bacchus”, pas dyshimeve për aktivitet kriminal të një grupi shqiptarësh dhe shtetasish të huaj të përfshirë në trafik ndërkombëtar heroine.
Mësohet se, përgjatë periudhës tetor 2023 – janar 2024, Ermal dhe Marsel Liçaj kanë futur në territorin danez heroinë përmes Suedisë, e cila më pas është shpërndarë në shtetin nordik.
Ndërkohë, në media janë publikuar edhe fotot e dy vëllezërve Liçaj nga Fieri.


SPAK thekson se vijon puna për zbardhjen e episodeve të tjera ku janë përfshirë dy shqiptarët dhe persona të tjerë që mund të kenë lidhje me grupin e tyre.
