Njësia B2 e Termocentralit Kosova B është rikthyer me sukses në operim pas përfundimit të remontit të rregullt vjetor, të planifikuar sipas Bilancit Vjetor Elektroenergjetik për vitin 2026.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se njësia ka startuar në orët e pasdites dhe është sinkronizuar me sukses në rrjetin energjetik rreth orës 20:00, duke rikthyer në sistem një nga kapacitetet kryesore prodhuese të energjisë elektrike në vend.
Sipas KEK-ut, përfundimi me sukses i remontit dhe rikthimi i njësisë në operim është rezultat i angazhimit, profesionalizmit dhe përkushtimit të punonjësve dhe stafit teknik të Termocentralit Kosova B, të cilët kanë punuar intensivisht gjatë gjithë periudhës së remontit për realizimin e aktiviteteve të planifikuara.
Gjatë kësaj periudhe janë kryer një sërë ndërhyrjesh teknike dhe aktivitete mirëmbajtëse, të cilat synojnë rritjen e besueshmërisë operacionale, sigurisë teknike dhe performancës së njësisë, duke krijuar kushte për funksionim stabil në muajt në vijim.
Rikthimi i njësisë B2 në prodhim konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm për sistemin elektroenergjetik të Kosovës, pasi kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe stabilitetin e rrjetit energjetik.
KEK ka ritheksuar përkushtimin për zbatimin e planit të mirëmbajtjes dhe modernizimit të kapaciteteve gjeneruese, me synim garantimin e prodhimit të qëndrueshëm, të sigurt dhe të besueshëm të energjisë elektrike për qytetarët dhe ekonominë e Kosovës.
