Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se zgjedhjet e jashtëzakonshme, janë të papranueshme pas situatës, në të cilën është Kosova, pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Pas 16 shtatorit, Haxhiu tha se partitë politike nuk duhet ta mendojnë shkuarjen në zgjedhje.
Ajo komentet i bëri pas pjesëmarrjes në Konferencën “Partneritet për ndryshim: Gratë që transformojnë sistemet – avancimi i parimeve të Prishtinës 2026–2035”, organizuar nga Jahjaga Foundation.
Haxhiu: Nuk do të duhej as t’i shkonte në mendje dikujt që të bëjë veprime, që shtyejnë drejt zgjedhjeve
“Uroj që të gjitha partitë politike të heqin dorë nga përpjekjet e tyre për ta dërguar vendin në zgjedhje. As për qytetarët, as për Kosovën e as në rrethanat, në të cilat jemi, sidomos pas 16 shtatorit, nuk do të duhej as t’i shkonte në mendje dikujt që të bënim veprime, të cilat të shtyejnë drejt zgjedhjeve”, tha ajo.
Haxhiu shpreson që deri më 6 tetor të ketë një emër për president.
Haxhiu: Pres që të vazhdojnë diskutimet dhe qëllimi të jetë për zgjedhje të presidentit
“Prandaj, edhe si kryetare e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së presidentes pres që takimet të vazhdojnë. Është shumë e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës gjatë këtyre pak ditëve që i kemi deri më 6 tetor, ta ketë një emër për president. Unë pres që të vazhdojnë diskutimet dhe qëllimi të jetë për zgjedhje të presidentit”, tha Haxhiu.
