Të hënën, Kuvendi i Kosovës ka miratuar deklaratën lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Analisti Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se votimi nuk ka ndonjë efekt në vendimet e Gjykatës Speciale dhe e ka cilësuar atë si një përpjekje të PDK-së për t’u shfajësuar lidhur me themelimin e kësaj gjykate.
“Votimi është pa asnjë efekt, pra nuk ndikon në gjendjen aktuale të Gjykatës Speciale, në vendimin që e ka marrë. Kështu që, thjesht, është një lloj shfajësimi që po mundon PDK-ja me bërë, me faktin që ka qenë ajo që e ka themeluar këtë gjykatë”, ka thënë ai.

Faton Mehmeti
Sipas Mehmetit, në këtë proces rol ka pasur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila, sipas tij, është dashur të abstenojë dhe të mos e mbështesë nismën.
“Dhe kësaj i ndihmon edhe LDK-ja, e cila, në gjykimin tim, është dashur të abstenojë në këtë rast dhe të mos e mbështesë, për arsye se gjykimi që ka ndodhur, në këtë aktakuzë, përmendëm vrasjen e disa eksponentëve të PDK-së që kanë qenë kryer, sipas Prokurorisë.
Kështu që besoj që Lidhja Demokratike ka humbur shumë. Kohë e ka humbur, është shumë shkëputur nga realiteti, nga tradita, nga filozofia e saj. Kështu që është një parti e pazareve dhe thjesht e interesave të ngushta”, ka shtuar ai.
Gjithashtu, Mehmeti ka shprehur keqardhje për atë që e konsideron rënie të LDK-së, ndërsa ka thënë se kjo parti nuk është dashur t’i bashkëngjitet nismës së PDK-së.
“Më vjen keq që ka rënë kaq poshtë, por gjithsesi nuk është dashur që LDK-ja t’i bashkëngjitet kësaj nisme të PDK-së, sepse nuk është program partiak, por thjesht shfajësimet e veta.
Nga ana tjetër, këtu nuk ka kurrfarë efekti. Absolutisht jo. Është një shou shumë i PDK-së”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.
