Lajme

“Nuk ka mundësi të ketë rënë nga krevati, sepse ishte larg dritares”, dëshmia e recepsionistes në rigjykimin ndaj Endrit Nikës

Erza Limani, ish-recepcioniste e hotelit “Sonoma”, ka rrëfyer në Gjykatën Themelore në Prishtinë momentet pas rënies së Maria Clarës nga dritarja e hotelit, reagimin e Endrit Nikës dhe bisedën që kishte zhvilluar me të pas ngjarjes.

Në seancën e rigjykimit ndaj Endrit Nikës, dëshmitarja Erza Limani ka përshkruar rrethanat e natës kritike, kur, sipas dëshmisë së saj, kishte dëgjuar një krismë të fuqishme dhe më pas kishte dalë për të parë se çfarë kishte ndodhur.

Limani ka treguar se natën e ngjarjes ishte në ndërrimin e natës, të cilin e kishte filluar në orën 23:00. Ajo ka deklaruar se Nikën dhe vajzën i kishte parë duke hyrë në hotel pas mesnatës, por se në sjelljen e tyre nuk kishte vërejtur asgjë të dyshimtë.

“I kam parë vetëm natën kritike, kur kanë ardhur në hotel. Pas një ose dy orësh ka ndodhur rasti. Kur kanë hyrë, i kam përshëndetur dhe kanë vazhduar në dhomë. Nuk kam vërejtur diçka në sjelljen e tyre që të dyshoja”, ka dëshmuar ajo.

Krismë e fuqishme dhe vajza e shtrirë në tokë

Sipas dëshmisë së Limanit, rreth orës 02:00 ajo kishte dëgjuar një krismë të madhe, pas së cilës kishte dalë për të parë se çfarë kishte ndodhur.

“Kam dëgjuar një krismë të madhe që më ka bërë të dal. E kam parë një vajzë në tokë, me xhama përreth saj, kornizën e dritares dhe patika”, ka deklaruar Limani.

Ajo ka thënë se menjëherë kishte telefonuar Ramiz Nuhën, i cili ndodhej një kat më lart. Kur ishte afruar pranë vajzës, kjo e fundit ishte ende gjallë dhe kishte kërkuar ujë.

“Kur kam shkuar te vajza, ajo ka qenë gjallë dhe ka kërkuar ujë. Kjo ka ndodhur para se të zbriste roja. Pastaj ka ardhur edhe Endriti. Unë e kisha një shishe ujë në dorë, por nuk ia kam dhënë vajzës. Ia kam dhënë Endritit, i cili ishte afër saj. Nuk e di nëse ia ka dhënë për të pirë apo ia ka lagur fytyrën”, ka rrëfyer dëshmitarja.

Një nga pjesët kryesore të dëshmisë së Limanit lidhet me bisedën që ajo kishte zhvilluar me Endrit Nikën pas ngjarjes. Sipas saj, Nika i kishte thënë se ata kishin qenë duke fjetur në dhomën 403 dhe se nuk e dinte se si kishte rënë vajza.

“Endriti ka ardhur tek unë dhe ka filluar të më tregojë se si kishte ndodhur rasti. Më tha se kishin qenë duke fjetur në dhomën 403 dhe nuk e dinte se si kishte rënë vajza. Unë i kam thënë se nuk ka mundësi, sepse krevati është larg dritares”, ka deklaruar ajo.

Limani ka dëshmuar gjithashtu për reagimin e Nikës kur i kishte treguar se Policia ishte duke ardhur në vendin e ngjarjes.

“Kur i kam thënë se po vjen Policia, Endriti ka thënë: ‘Jo, Policia jo Policia. Ka qenë nervoz dhe i tensionuar. Ka përdorur fjalë fyese dhe sharje, jo ndaj meje, por në përgjithësi. Jam ndier e frikësuar dhe jam larguar pak më tutje”, ka dëshmuar Limani.

Gjatë dëshmisë së saj, ish-recepcionistja ka përmendur edhe një detaj lidhur me veshjen e Nikës pas ngjarjes. Sipas saj, kur ai kishte zbritur, kishte pasur të veshur një këmishë të shqyer në pjesën e pasme.

Ajo ka bërë të ditur se roja i hotelit kishte telefonuar Policinë për të kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve dhe të ambulancës.

Dëshmia e Erza Limanit është dhënë në kuadër të rigjykimit ndaj Endrit Nikës në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësia eventuale penale mbeten objekt i shqyrtimit gjyqësor.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të Ngjashme