Lezhë / Finalizohet operacioni i koduar “Perimetri 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike dhe organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Arrestohen 7 shtetas. Sekuestrohen lëndë narkotike Cannabis Sativa, 6 automjete, celularë dhe 7 pajisje të ndryshme elektronike për lojëra fati.
Nga hetimet dyshohet se lënda narkotike shpërndahej në zona të ndryshme në qytetin e Laçit, në disa raste edhe afër shkollave.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve, Seksioni i Mbështetjes Operacionale dhe Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Lezhë, dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, finalizuan operacionin policor të koduar “Perimetri 2”.
Operacioni u finalizua pas disa muajsh hetime me metoda speciale, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për disa shtetas që ushtronin aktivitetin kriminal të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, në qytetin e Laçit.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, u bë i mundur dokumentimi ligjor i kësaj veprimtarie kriminale, ndalimi i 4 shtetasve dhe arrestimi në flagrancë i 2 të tjerëve, të gjithë banues në Laç, Kurbin, si të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas siguronin lëndë narkotike Cannabis Sativa, të cilën e ndanin në doza dhe e shitnin në zona të ndryshme në qytetin e Laçit, në disa raste edhe afër shkollave.
Gjithashtu, gjatë operacionit, u zbulua 1 lokal ku organizoheshin lojëra fati, me kompjuterë, në kundërshtim me ligjin. Për këtë rast, u arrestua pronari i lokalit, babai i 2 prej shtetasve të arrestuar, i cili nuk e kishte regjistruar subjektin dhe punonjësit, në organet kompetente.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
