Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili synon themelimin dhe përcaktimin e kompetencave të kësaj Byroje, si dhe rregullimin e procedurës për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se projektligji tashmë do të procedohet në Kuvendin e Kosovës.
Dërgimi i projektligjit në Kuvend rikthen në vëmendje procedurat që duhet të ndiqen deri në miratimin përfundimtar të tij, veçanërisht pasi ky projektligj kishte kaluar leximin e parë në Kuvend në prill të këtij viti.
Por, cilët janë hapat e mëtejmë që duhet të ndiqen pas miratimit nga Qeveria? Çfarë procedure parlamentare e pret projektligjin dhe sa mund të ndikojë vullneti politik i partive në përfundimin e procesit?
Për këto çështje, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.
Sipas tij, procedurat ligjore për miratimin e këtij projektligji janë të përcaktuara qartë, ndërsa ai vlerëson se sfida kryesore mund të jetë vullneti politik i subjekteve parlamentare.
Po ashtu, Musliu thotë se Ligji për Vettingun dhe Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme kanë qenë pjesë e reformave në drejtësi të paralajmëruara nga Lëvizja Vetëvendosje.

Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.
“Ashtu siç kishte paralajmëruar në fushatat zgjedhore parlamentare, me ardhjen e LVV-së dhe Albin Kurtit në pushtet, Ministria e Drejtësisë punoi në përgatitjen e infrastrukturës juridike për reformat e premtuara në drejtësi. Ndër ligjet kryesore ishin Ligji për Vettingun dhe Ligji i Byros për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Qëllimi kryesor i këtyre dy ligjeve ishte reforma në sistemin e drejtësisë, respektivisht ‘skanimi’ i gjyqtarëve dhe prokurorëve për ta dëshmuar profesionalizmin, integritetin, kredibilitetin profesional, pasurinë, si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të zyrtarëve publikë.”
Musliu e lidh nevojën për këtë mekanizëm me luftën kundër korrupsionit dhe pasurisë së pajustifikueshme, ndërsa thekson se, sipas tij, një pjesë e zyrtarëve publikë kanë keqpërdorur pozitën e tyre.
“Sepse një pjesë e tyre, për dy dekada, derisa opozita ishte në pushtet, ishin ngushtë të lidhur me politikanët e profilit të lartë, të paprekshëm dhe të pandëshkueshëm, duke bashkëvepruar në korrupsion dhe krim të organizuar. Së këndejmi, këta për dy dekada keqpërdorën pozitën zyrtare dhe autoritetin, që çoi drejt një pasurimi të paparë, në kurriz të qytetarëve dhe në dëm të shtetit. Pikërisht për këto qëllime dhe për t’i dhënë fund këtyre keqpërdorimeve dhe vjedhjeve masive, Ministria e Drejtësisë përgatiti Ligjin e Byros për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.”
Më tej, juristi kritikon opozitën për atë që e konsideron zvarritje të procesit të miratimit të ligjit, duke përmendur edhe procedurat e mëparshme në Gjykatën Kushtetuese dhe Komisionin e Venedikut.
“Edhe pse Qeveria Kurti ligjin në fjalë me kohë e kishte përgatitur dhe proceduar në Kuvend për shqyrtim dhe miratim, fatkeqësisht nga PLAN-i ky ligj hasi në rezistencë duke e zgjedhur rrugën e obstruksioneve dhe sabotimit. PLAN-i, për ta penguar miratimin e këtij ligji, bëri që ky ligj disa herë të kalojë në Kuvend, në Gjykatën Kushtetuese dhe në Komisionin e Venedikut, si dhe në shqyrtim publik, me qëllim të shkaktojë pengesa dhe vonesa të qëllimshme për mosmiratimin e tij.”
Sipas Musliut, me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, procedura për këtë projektligj ka hyrë në një fazë tjetër.
“Më në fund, me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, ditë më parë, Qeveria ia dërgoi Kuvendit të Kosovës Ligjin e Byros për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme për shqyrtim. Në këtë kontekst, dua të potencoj se, sa i takon procedurave për miratimin e ligjit në fjalë, dhe jo vetëm, ato janë të qarta dhe të sanksionuara me ligj, si dhe me Rregulloren e Punës së Kuvendit.”
Ai shpjegon edhe rrjedhën institucionale që duhet të ndjekë projektligji.
“Respektivisht, Ministria e Drejtësisë, në këtë rast si ministri kompetente, ligjin ia dërgon Qeverisë për miratim, kurse Qeveria të njëjtin e procedon në Kuvend, ku paraprakisht shqyrtohet në Komisionin përkatës dhe pastaj i njëjti i dërgohet deputetëve të Kosovës për shqyrtim dhe miratim në seancë plenare.”
Duke pasur parasysh se Projektligji i Byrosë kishte kaluar tashmë leximin e parë në prill, Musliu thotë se, në aspektin procedural, nuk sheh pengesa të veçanta ligjore, por vlerëson se sfida kryesore mund të jetë politike.
“Edhe pse Projektligji i Byros për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme në prill të këtij viti ka kaluar në lexim të parë, dua të sinjalizoj se, në rastin konkret, për miratimin e këtij ligji, nuk paraqesin kurrfarë problemi procedurat ligjore, por problemi kryesor dhe i vetëm qëndron te lidershipi i partive opozitare, të cilët që nga fillimi i mandatit të kryeministrit Kurti, janë treguar destruktivë dhe arrogantë, duke i sabotuar ligjet më të rëndësishme që dëmtojnë interesat shtetërore.”
Musliu e konsideron si faktor vendimtar vullnetin e subjekteve politike për të votuar ligjin, duke pretenduar se ai dhe Ligji për Vettingun janë zvarritur për vite.
“Prandaj fati i miratimit të këtij ligji, dhe jo vetëm, fatkeqësisht varet nga (mos)inatet dhe egot primitive të lidershipit opozitar. Këtë e vërteton edhe fakti se Ligjin për Vettingun dhe Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, opozita është duke i zvarritur për pesë vite me radhë.”
Në vijim, ai shpreh bindjen se miratimi i ligjit do të ndikonte në rritjen e përgjegjësisë së zyrtarëve publikë dhe në luftën kundër pasurisë së pajustifikueshme.
“Konsideroj se e gjithë kjo bëhet me qëllim që opozita, e cila për dy dekada, është zhytur në korrupsion dhe krim të organizuar, t’i shpëtojë drejtësisë, sepse me reformat në drejtësi, po vjen koha e llogaridhënies dhe fundi i pandëshkueshmërisë.”
Megjithatë, Musliu thekson se Byroja nuk do të ishte institucioni që merr përfundimisht vendimin për konfiskimin e pasurisë, por se një vendim i tillë do të merrej nga gjykata kompetente.
“Mbase ky ligj parashikon krijimin e një mekanizmi shtetëror për hetimin dhe verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme, kurse vendimin ligjor për konfiskim e merr gjykata kompetente në bazë të provave, e jo Byroja, siç pretendonte në propagandën e saj opozita.”
Në fund, juristi vlerëson se zbatimi i këtij ligji do të mund të ndikonte edhe në përgjegjësinë e zyrtarëve publikë lidhur me pasurinë e tyre.
“Po ashtu, ky ligj do t’i ndërgjegjësonte dhe do t’i bënte më përgjegjës zyrtarët publikë gjatë ushtrimit të mandatit, që pasuria e tyre të jetë në përputhje me të ardhurat e tyre të ligjshme, e jo nga korrupsioni.”
