Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë do të lansojë të enjten, më 26 nëntor, Rrjetin për Siguri në Komunitet, një nismë të re që synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve për adresimin e çështjeve të sigurisë në nivel lokal.
Sipas njoftimit të OSBE-së, ky rrjet do të shërbejë si platformë për bashkëpunim dhe koordinim më të ngushtë ndërmjet Policisë së Kosovës, Këshillave Komunalë për Siguri në Bashkësi (KKSB), Komiteteve Lokale për Siguri Publike (KLSP) dhe akterëve të tjerë relevantë.
Përmes kësaj nisme synohet të rritet pjesëmarrja e publikut në çështjet e sigurisë dhe të nxitet veprimi i koordinuar për zgjidhjen e problemeve që prekin komunitetet në nivel lokal.
OSBE-ja thekson se Rrjeti për Siguri në Komunitet pritet të kontribuojë në gjetjen e zgjidhjeve praktike, rritjen e besimit të publikut dhe forcimin e llogaridhënies së institucioneve.
Nisma do të zbatohet fillimisht në rajonin e Prishtinës, ndërsa synimi është që më pas të shtrihet në të gjithë Kosovën.
Ngjarja e lansimit do të hapet nga shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Gerard McGurk, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Viktor Buzhala, si dhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankovic.
Aktiviteti do të mbahet më 26 nëntor.
