Publicisti dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Hafiz Shala, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të partive opozitare në Kosovë, duke i akuzuar ato për afrim me Listën Serbe dhe, sipas tij, me interesat e Serbisë.
Sipas Shalës, logjika politike e opozitës është që, nëse Albin Kurti nuk merr mbështetje të mjaftueshme për formimin e institucioneve, atëherë votat duhet t’i kalojnë Listës Serbe. Ai e cilëson këtë qasje si dëshmi të një bashkëpunimi të vazhdueshëm me strukturat politike dhe kriminale serbe.
Në reagimin e tij dërguar “Bota sot”, Shala përmend edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për të cilin pretendon se ka tentuar të ndikojë politikisht te ish-presidentja Vjosa Osmani, me qëllim afrimin e saj me opozitën. Sipas tij, ky skenar ka dështuar falë qëndrimit të kryeministrit Albin Kurti, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Nëse nuk e jep votën për Albinin, sipas qëndrimeve të opozitës, pasi ai nuk po merr votë të mjaftueshme nga populli, atëherë jepjani Serbisë (Listës Serbe).
Pra, qenkan me Serbinë. Kjo i bie kështu, sepse opozita ka qenë aleate e Serbisë dhe e kriminelëve të saj, në krye me kryekriminelin Millan Radoiçiq, të cilin e caktuan “major” në Mitrovicën Veriore. Ndërsa udhëheqësit e partive opozitare deklaronin vazhdimisht se ende bashkëpunojnë me të. Znj. Kimete Bajrami nga LDK-ja, me tërë sinqeritetin, thoshte: “Unë kurrfarë problemi nuk kam me Listën serbo-shqipfolëse, por problemin kryesor e kam me Albin Kurtin.” Sinqerisht.
Në bazë të këtyre deklaratave, Vuçiqi i Beogradit u lëshua në aksionin antidardan, sepse, sipas tyre, të gjithë qenkan kundër Albin Kurtit. E thirri “vëllanë” e tij siamez, Vuçiqin e Tiranës, alias Edvin Kristaq Rama, duke i sugjeruar që t’i lëshohej znj. Vjosa Osmani në qafë dhe t’i premtohej vazhdimi i postit të presidentes, duke e parë se është e papjekur në këtë drejtim dhe shumë naive. Kështu tentuan ta bashkonin me opozitën, të cilën po ai e kontrollon dhe e shantazhon. Skenari dështoi falë Albin Kurtit, i cili kurrë dhe në asnjë rast nuk ia shtrëngoi dorën vrasësit të shqiptarëve, Aleksandar Vuçiqit, siç bënte Hashim Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij.
Përderisa ai ëndërronte ta largonte Kurtin sipas disponimit serb në Serbi, ai do të largohet vetë, siç po shihen demonstratat e këtyre ditëve në Beograd, të cilat janë shprehje e pakënaqësisë dhe zhgënjimit, sepse nuk ua ktheu Dardaninë nën Serbi, gjë për të cilën u kishte premtuar. Madje, kërkesat e tyre në raport me Dardaninë janë shumë më radikale se ato të çetnikut Draža Mihailoviq. Kjo mund të shkojë pjesërisht në favorin tonë, por jo plotësisht, sepse opozita, nën panikun e përgjegjësisë rreth asaj se çfarë do të prodhojë Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Jashtëligjshme dhe themelimi i Xhandarmërisë Nacionale, e cila do të jetë e pamëshirshme ndaj këtyre veprave, ndodhet në amulli dhe stres të përditshëm psikologjik.
Prandaj, edhe Vuçiqi, edhe opozita janë në një gjendje të rëndë psiko-politike, apo jashtë çdo normaliteti mendor.
Znj. Vjosa Osmani ka hyrë në një gërshërë shumë të rrezikshme, aq sa edhe atë konsideratë që sadopak e ka pasur nga populli dhe SHBA-të e ka humbur, dhe tashmë konsiderohet si person nga i cili janë zhgënjyer edhe ata që kishin pasur shpresë tek ajo. Populli thotë: “Kush lyp shumë, nuk merr asgjë.”
