Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur mbështetjen e plotë për studentët shqiptarë në Maqedonia e Veriut, të cilët po protestojnë për të kërkuar dinjitet, status të barabartë dhe respekt për gjuhën dhe identitetin shqiptar.
Përmes një reagimi, OVL UÇK theksoi se zëri i studentëve është legjitim dhe se kërkesat e tyre janë të drejta.
Sipas tyre, gjuha shqipe nuk është privilegj i dhënë nga shteti apo rezultat i pazareve politike, por një e drejtë e patjetërsueshme e shqiptarëve në trojet e veta.
“Shqipja nuk është nder i falur nga shteti apo i negociuar përmes marrëveshjeve politike. Është e drejtë e patjetërsueshme e një populli në trojet e veta”, thuhet në reagim.
OVL UÇK kërkoi që të drejtat e shqiptarëve në Maqedonia e Veriut të respektohen menjëherë dhe pa kushte, duke theksuar se dinjiteti shqiptar nuk negociohet.
