Një tjetër episod që ngre shqetësime për sigurinë publike është regjistruar në Fier, pak kohë pas plagosjes me thikë të një punonjësi fast-food-i nga një 17-vjeçar.
Këtë herë, një person është filmuar duke lëvizur me thikë në dorë në hyrje të pedonales së qytetit, pranë zonës ku ndodhi edhe konflikti i mëparshëm.
Pamjet tregojnë individin duke mbajtur një mjet prerës në një hapësirë publike, ku qarkullojnë shumë qytetarë. Deri më tani nuk dihet identiteti i tij dhe as nëse lëvizja me thikë ka qenë e lidhur me ndonjë konflikt.
Gjithashtu, nuk ka informacion nëse policia është njoftuar për rastin apo nëse ka nisur verifikimet për identifikimin e personit.
Dy episodet e ndodhura brenda një kohe të shkurtër kanë rikthyer vëmendjen te siguria në hapësirat publike të Fierit.
Kujtojmë se një ditë më parë, në këtë qytet u vra 60-vjeçari Selami Hasani, i njohur si “Sel Çami”, ndërsa nipi i tij, Jakup Hasani, mbeti i plagosur rëndë në atentatin me armë zjarri.

