Aktuale

Pas 30 vitesh ndryshon ligji, të huajt pritet të lejohen të blejnë tokë bujqësore në Shqipëri

Qeveria shqiptare ka propozuar ndryshime të rëndësishme në legjislacionin për tokën bujqësore, duke hapur për herë të parë rrugën që shtetasit e huaj të mund të blejnë tokë në Shqipëri.

Projektligji i prezantuar nga Ministria e Bujqësisë dhe i publikuar për konsultim publik parashikon ndryshimin e kufizimeve të vendosura që prej vitit 1998, kur të huajve u ndalohej blerja e tokës, ndërsa lejohej vetëm marrja me qira deri në 99 vite.

Në nenin 4 të draftit të ri përcaktohet se të huajt mund të privatizojnë deri në 2 hektarë tokë brenda një bashkie dhe deri në 30 hektarë në nivel republike, përfshirë edhe sipërfaqet shtetërore.

“Në rastin e shit-blerjes së tokës bujqësore të pandarë në pronësi shtetërore, bashkitë në juridiksionin e të cilave ndodhet toka kanë kompetencën për kryerjen e procedurave, por vendimin përfundimtar për kalimin e pronësisë e merr autoriteti kompetent”, thuhet në dokumentin e publikuar për konsultim.

Projektligji parashikon gjithashtu kritere të posaçme për blerësit e huaj. Ata duhet të jenë rezidentë në Shqipëri prej të paktën pesë vitesh dhe të provojnë minimumi tre vite eksperiencë në aktivitetin bujqësor.

Po ashtu, blerësit do të duhet të garantojnë se toka do të përdoret vetëm për veprimtari bujqësore dhe jo për aktivitete të tjera zhvillimore.

Në rastet kur toka është pronë private, shitësi do të duhet të paraqesë dokumentacionin e pronësisë dhe certifikatën familjare, me qëllim shmangien e konflikteve të mundshme pas transaksionit.

Kjo është hera e parë që Shqipëria parashikon ligjërisht shitjen e tokës bujqësore për shtetasit e huaj, ndërsa deri më tani ata kanë pasur të drejtë të blejnë apartamente dhe objekte, por jo troje apo toka bujqësore.

Të Ngjashme