Analisti politik Zejnullah Jakupi, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar miratimin e Deklaratës së Kuvendit të Kosovës lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, duke vlerësuar se 99 votat pro paraqesin një qëndrim të përbashkët institucional për këtë çështje.
Jakupi ka thënë se fakti që në votim janë bashkuar edhe deputetët e LDK-së tregon se, përballë një çështjeje të ndjeshme, Kuvendi ka gjetur një pikë të përbashkët, pavarësisht dallimeve politike.
“Miratimi i Deklaratës së Kuvendit me 99 vota për është një zhvillim i rëndësishëm institucional. Fakti që në këtë qëndrim janë bashkuar edhe deputetët e LDK-së tregon se, përballë një çështjeje kaq të ndjeshme, Kuvendi ka gjetur një pikë të përbashkët, pavarësisht dallimeve politike.
Megjithatë, mendoj se duhet të jemi shumë të saktë në mënyrën se si e interpretojmë këtë proces dhe sidomos në mënyrën se si flasim për aktgjykimin e Hagës. Nuk duhet të krijohet përshtypja se një proces gjyqësor ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së është, në vetvete, një gjykim ndaj të gjithë UÇK-së.
Këtu duhet bërë një dallim shumë i qartë: nëse gjykata ka trajtuar pretendimin për një ndërmarrje të përbashkët kriminale, përgjegjësia në këtë kuadër lidhet me personat konkretë dhe me veprimet e tyre, sipas provave dhe konstatimeve të gjykatës. Nuk mund të zgjerohet automatikisht nga katër individë te të gjithë pjesëtarët e UÇK-së, e aq më pak te vetë lufta e UÇK-së si tërësi”, ka thënë ai.

Zejnullah Jakupi
Gjithashtu, Jakupi ka theksuar se duhet bërë dallim mes përgjegjësisë eventuale penale të individëve dhe vlerësimit historik të UÇK-së dhe luftës së saj për çlirimin e Kosovës.
“Pra, duhet të ndajmë dy gjëra: njëra është përgjegjësia eventuale penale e individëve për veprime konkrete dhe tjetra është vlerësimi historik i UÇK-së dhe luftës së saj për çlirimin e Kosovës. Këto nuk janë e njëjta gjë.
Prandaj, edhe deklarata e ambasadorit britanik se në Hagë bëhet fjalë për përgjegjësi individuale duhet parë në këtë kontekst. Mund të kemi diskutim dhe mospajtime rreth mënyrës se si është arritur në konstatime të caktuara, por nuk mendoj se është e drejtë që çdo vendim ndaj individëve të interpretohet automatikisht si dënim i UÇK-së në tërësi.
Nëse ne e paraqesim çdo aktgjykim ndaj katër personave si aktgjykim ndaj gjithë UÇK-së, atëherë vetë e zgjerojmë kuptimin e një procesi që juridikisht ka subjektet dhe përgjegjësitë e veta konkrete. Kjo nuk i shërben as mbrojtjes së vlerës historike të luftës së UÇK-së dhe as argumentimit tonë juridik
Pikërisht për këtë arsye duhet të jemi të kujdesshëm edhe me kritikat ndaj ambasadorit britanik. Mund të mos pajtohemi me një deklaratë të tij dhe mund ta argumentojmë këtë mospajtim, por nuk është në interesin e Kosovës që një debat rreth Hagës të shndërrohet në përplasje me aleatët tanë strategjikë. Britania e Madhe ka qenë dhe mbetet një nga vendet që ka dhënë mbështetje të rëndësishme për Kosovën”, ka theksuar ai..
Duke folur për qëndrimin e LDK-së, Jakupi ka thënë se vota e saj për Deklaratën e Kuvendit nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të qëndrimeve të saj lidhur me vrasjet politike dhe anëtarët e vrarë të kësaj partie.
“Sa i përket LDK-së, vota e saj për deklaratën nuk do të thotë domosdoshmërisht se janë harruar apo ndryshuar qëndrimet e saj lidhur me vrasjet politike dhe anëtarët e vrarë të saj. Këto janë çështje që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe përgjegjësinë dhe duhet të vazhdojnë të trajtohen. Por nuk duhet t’i vendosim domosdoshmërisht në kundërshtim me të drejtën e ish-pjesëtarëve të UÇK-së për një proces të drejtë dhe me të drejtën për të kundërshtuar një aktgjykim përmes mjeteve juridike.
Prandaj, 99 votat e Kuvendit mund të shihen si një qëndrim i përbashkët institucional për këtë çështje konkrete, por jo domosdoshmërisht si zhdukje e dallimeve politike dhe historike ndërmjet partive”, ka shtuar ai.
Në fund, Jakupi ka bërë thirrje që Kosova të jetë e qartë në mesazhin e saj, duke veçuar dallimin mes mbrojtjes së luftës së UÇK-së dhe përgjegjësisë individuale penale.
“Në fund, mendoj se Kosova duhet të jetë shumë e qartë në mesazhin e saj: ne e mbrojmë luftën e UÇK-së dhe të drejtën e saj historike për çlirimin e Kosovës, por njëkohësisht nuk mund të kërkojmë që përgjegjësia penale individuale të zëvendësohet me përgjegjësi kolektive. Nëse ka përgjegjësi penale, ajo duhet të jetë individuale, e bazuar në prova dhe e përcaktuar përmes një procesi të drejtë.
Dhe pikërisht këtu qëndron dallimi: gjykimi i katër individëve nuk duhet të barazohet automatikisht me gjykimin e gjithë UÇK-së. Një ndërmarrje e përbashkët, nëse është konstatuar juridikisht, lidhet me personat dhe veprimet konkrete të përfshira në atë çështje; nuk është sinonim i gjithë organizimit, të gjithë pjesëtarëve apo i gjithë luftës së UÇK-së. Prandaj, përpjekjet për ta ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara e fusin shtetin e Kosovës detyrimisht në konflikt me BE-në dhe aleatët e saj”, ka përfunduar Jakupi për “Bota sot”.
