Lajme

Pas deklaratës për Specialen, Tahiraj pyet LDK-në: Pse u largua Besian Mustafa?

Kuvendi i Kosovës mitaroi, në seancën e parë plenare, një deklaratë për aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Në deklaratë, deputetët e kanë cilësuar si “të papranueshëm” konstatimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal mes katër të akuzuarve.

Veprimtari Saim Tahiraj e cilësoi si paradoks miratimin e deklaratës së Kuvendit kundër vendimit të Gjykatës Speciale, duke theksuar se i njëjti institucion që e themeloi atë sot po kundërshton një vendim gjyqësor.

Ai për “Bota sot”, ngriti pikëpyetje për ndarjen e pushteteve dhe mesazhin që, sipas tij, i dërgohet botës.

“Kuvendi i Kosovës sot miratoi një deklaratë që kundërshton vendimin e shkallës së parë të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila dënoi katër të akuzuar për krime lufte.

Ky është një paradoks i llojit të vet!

Image
Saim Tahiraj

I njëjti Kuvend që votoi themelimin e Gjykatës Speciale, në bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët na ndihmuan ta fitojmë lirinë dhe ta ndërtojmë shtetin tonë, sot del kundër një vendimi të saj.

Ku është këtu morali njerëzor? Për moral politik, as që mund të bëhet fjalë, sepse duket se ai është humbur moti.

Dhe paradoksi bëhet edhe më i madh kur të njëjtët njerëz trumbetojnë vazhdimisht se pushtetet janë të ndara dhe se askush nuk duhet të ndërhyjë në drejtësi.

Atëherë, çfarë ishte kjo që ndodhi sot në Kuvend? Çfarë mesazhi i dërgohet botës kur një institucion politik merr qëndrim kundër një vendimi gjyqësor, ndërkohë që pretendon se respekton ndarjen e pushteteve?

Ju, deputetë të padinjitetshëm, sigurisht do të thoni se nuk ishte ndërhyrje në drejtësi. Por qytetarët kanë të drejtë të pyesin dhe të gjykojnë vetë”, tha ai.

Tahiraj kritikoi edhe LDK-në për largimin e deputetit Besian Mustafa nga seanca, duke kërkuar përgjigje për mesazhin që, sipas tij, përcolli ky veprim.

Ai tha se përgjegjësia për krimet duhet të jetë individuale dhe se lufta çlirimtare e Kosovës nuk duhet të mbrohet politikisht nga Kuvendi, por përmes së vërtetës dhe drejtësisë.

“Dhe një pyetje tjetër duhet t’ia bëjnë vetes deputetët e LDK-së: pse e lëshoi mbledhjen e Kuvendit deputeti Besian Mustafa, i biri i Xhemajl Mustafës?

Çfarë mesazhi ishte ky? Pse nuk qëndroi në sallë? Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje.

He turpi ju mbuloftë!

Me çfarë fytyre do t’ua kërkoni nesër qytetarëve votën që sot po e humbni me veprimet tuaja?

Dhe në fund, paradoksi më i madh: në një kohë kur Gjykata Speciale po zhvillon proceset e saj për të përcaktuar përgjegjësinë individuale për krimet e pretenduara gjatë luftës, ju, përfaqësues të popullit, po merrni përsipër të mbroheni politikisht nga një vendim gjyqësor.

UÇK-ja dhe lufta çlirimtare e Kosovës nuk kanë nevojë për mbrojtje politike nga Kuvendi. Ato kanë nevojë për të vërtetën dhe drejtësinë.

Krimi ka emër dhe përgjegjësia duhet të jetë individuale. Lufta për çlirimin e Kosovës është një çështje tjetër.

Turp ju qoftë” – përfundon ai fjalën e tij.

Të Ngjashme