Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën për të dytën ditë radhazi në Tiranë në mbështetje të mbrojtjes së zonës së Zvërnecit, duke zhvilluar një protestë që zgjati rreth dy orë dhe që kulmoi me një marshim drejt Kryeministrisë.
Sipas mediave shqiptare, protestuesit u grumbulluan fillimisht përpara Ministrisë së Brendshme, nga ku nisën marshimin drejt Kryeministrisë.
Gjatë tubimit, disa prej tyre rrethuan godinën e Ministrisë së Brendshme me tel me gjemba, si formë simbolike proteste kundër zhvillimeve që, sipas tyre, rrezikojnë zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
Para Kryeministrisë u ngrit një podium, ku qytetarë dhe aktivistë mbajtën fjalime, ndërsa në duar mbanin pankarta me mesazhe si “Shqipëria nuk është në shitje” dhe thirrje në mbrojtje të mjedisit.
Organizatorët njoftuan se protesta do të vijojë edhe nesër, duke ftuar qytetarët të mblidhen sërish në orën 18:00 para Kryeministrisë.
Tubimet e dy ditëve të fundit kanë sjellë në qendër të debatit publik çështjen e mbrojtjes së Zvërnecit, me protestuesit që kërkojnë transparencë dhe ruajtjen e zonave të mbrojtura natyrore.
