Shqipëria pritet të zyrtarizojë javën e ardhshme angazhimin e saj në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.
Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi bëri me dije se vendimi do të kalojë në Këshillin e Ministrave, ndërsa hapi i parë do të jetë dërgimi i oficerëve të shtabit në strukturën ndërkombëtare.
Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, ministri iu përgjigj pyetjes së gazetarit të Ora News, Bekim Bici, lidhur me planin e Shqipërisë për pjesëmarrjen në misionin ndërkombëtar dhe organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë.
Nufi sqaroi se Shqipëria ka zhvilluar një mision njohës në Gaza për të analizuar terrenin, kushtet e sigurisë dhe rrethanat ku do të zhvillohet angazhimi. Sipas tij, pas vendosjes së oficerëve të shtabit do të kryhet një vlerësim i mëtejshëm për të përcaktuar numrin e trupave që mund të angazhohen dhe zonën ku do të veprojnë.
“Angazhimi lidhet kryesisht me dërgimin e oficerëve të shtabit në shtabin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese”, u shpreh ministri, duke shtuar se vendimi final për trupat konkrete do të merret pas përfundimit të fazës së parë të misionit.
Sa i përket Samitit të NATO-s, ministri konfirmoi se takimi do të zhvillohet në Tiranë, por data e saktë ende nuk është përcaktuar. Vendimi nëse samiti do të mbahet në vitin 2027 apo 2028 i takon krerëve të shteteve anëtare të Aleancës.
Qeveria shqiptare ka ngritur një Task Forcë për përgatitjet e samitit, e cila do të merret me çështjet e sigurisë, transportit, akomodimit dhe organizimit teknik të aktivitetit. Sipas ministrit, samiti pritet të fokusohet te çështjet e mbrojtjes dhe nivelit të sigurisë së Aleancës.
Gazetari Bici:
“Tani të kalojmë te dërgimi i trupave në Gaza. Shqipëria a do të dërgojë dhe kur do të dërgojë trupa në Gaza? A është përcaktuar deri në këto momente zona ku do të angazhohen? Gjithashtu, për Samitin e NATO-s në Tiranë, a është vendosur nëse do të mbahet në vitin 2027 apo data mund të ndryshojë?”
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi:
“Javën që vjen do ta çojmë në Këshillin e Ministrave vendimin për angazhimin e Shqipërisë në Gaza. Shqipëria ka marrë një angazhim që lidhet kryesisht me dërgimin e oficerëve të shtabit në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese.
Kemi zhvilluar një mision njohës në terren për të parë territorin, kushtet dhe situatën e sigurisë. Pas dërgimit të oficerëve të shtabit do të bëhet vlerësimi për angazhimin konkret të trupave. Në atë moment do të përcaktohet numri i forcave që do të dërgohen, zona ku do të operojnë dhe misioni i tyre specifik.
Për Samitin e NATO-s, është vendosur që ai të zhvillohet në Tiranë. Data përfundimtare, nëse do të jetë në vitin 2027 apo 2028, është një vendim që merret nga krerët e shteteve anëtare të Aleancës. Qeveria shqiptare ka ngritur tashmë Task Forcën për përgatitjet e nevojshme, përfshirë sigurinë, transportin dhe organizimin e këtij aktiviteti.”
