Ministrja Donika Gërvalla ka reaguar pas takimit të ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, me partitë parlamentare për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e Presidentit.
Albin Kurti, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, kryetarja e Guxo, Donika Gërvalla, si dhe përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë, kanë marrë pjesë në takimin me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.
Ndërkaq, PDK, LDK dhe AAK e kanë refuzuar ftesën për pjesëmarrje.
Ndërsa, vet Gërvalla u ka bërë thirrje partive opozitare të ulen në dialog dhe të propozojnë emra konkretë për një president konsensual.
“Ejani në takim! Të flasim! Aty kontribuohet për zgjidhjen që i duhet shtetit!”, ka shkruar ajo, duke theksuar se Kosova nuk ka nevojë për një tjetër ngërç institucional, por për përgjegjësi politike, dialog dhe marrëveshje.
Ajo ka kërkuar që interesat partiake t’i lënë vend interesit të Republikës dhe ka vlerësuar se shmangia e krizës institucionale është detyrim i të gjitha subjekteve politike.
Postimi i plotë:
Ejani në takim! Të flasim! Aty kontribuohet për zgjidhjen që i duhet shtetit! Kjo është pjekuri politike e përgjegjësi shtetërore. Gjithçka tjetër jashtë saj është ikje nga kjo përgjegjësi e përbuzje e besimit dhe vullnetit qytetar.
Kosova nuk ka nevojë për një tjetër ngërç institucional. Ka nevojë për përgjegjësi politike, dialog dhe marrëveshje.
Në këtë moment, interesat partiake duhet t’i lënë vend interesit të Republikës. Marrëveshja nuk është dobësi politike. Është përgjegjësi shtetërore. Shmangia e krizës institucionale nuk është çështje e një partie, por detyrim i të gjitha subjekteve politike ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ndaj vetë Republikës.
Kush kërkon zgjidhje, nuk bën zhurmë dhe nuk i ikën tavolinës së dialogut. Kush kërkon përgjegjësi, nuk bën zhurmë dhe nuk i shmanget një takimi që mund të prodhojë marrëveshje. Dhe kush e vendos Republikën mbi interesin partiak e personal, nuk bën zhurmë dhe nuk e përdor krizën institucionale si instrument politik.
Në takimin e thirrur nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, znj. Albulena Haxhiu, u diskutua pikërisht nevoja për të gjetur një rrugëdalje nga situata aktuale e krijuar. Të gjitha subjektet politike duhet të kontribuojnë maksimalisht për zgjidhjen e çështjes së Presidentit, përmes propozimit të emrave konkretë për presidentin konsensual. Nuk kërkohet që të pajtohemi për gjithçka. Kërkohet të kemi guximin politik të gjejmë dakordimin për atë që është e domosdoshme për funksionimin e shtetit.
Ejani në takim! Të flasim! Aty kontribuohet për zgjidhjen që i duhet shtetit! Kjo është pjekuri politike e përgjegjësi shtetërore. Gjithçka tjetër jashtë saj është ikje nga kjo përgjegjësi e përbuzje e besimit dhe vullnetit qytetar.
