Policia ka arrestuar dy roje private sigurie të kompanisë “Major Security”, Artur Gramin dhe Gazmend Vathin, të dyshuar se në bashkëpunim me Gerald Bibën kanë dhunuar dhe tërhequr me forcë një protestues gjatë një tubimi në Zvërnec, në zonën e Portonovës. Sipas hetimeve, ata kanë ushtruar dhunë fizike ndaj pjesëmarrësit në protestë dhe më pas e kanë mbajtur me forcë në një kabinë roje, deri në ndërhyrjen e policisë.
Sipas Policisë së Vlorës, ngjarja lidhet me tubimin e zhvilluar më 30 maj 2026, ndërsa ndaj tre personave është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”. Hetimet po vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të identifikuar çdo person tjetër të përfshirë në incident.
Nga verifikimet rezulton se Artur Grami dhe Gazmend Vathi nuk figurojnë të licencuar nga asnjë subjekt për shërbim privat të sigurisë fizike, çka shton dyshimet për veprimtari të paligjshme gjatë ushtrimit të këtij shërbimi. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme ligjore.
Kujtojmë se Geraldo Biba, ish-“Mister Shqipëria 2012”, është arrestuar nga Policia e Vlorës nën akuzat “plagosje e lehtë me dashje” dhe “heqje e paligjshme e lirisë”, pasi dyshohet si protagonisti kryesor i dhunës ndaj qytetarit me inicialet E.S. gjatë një proteste në Zvërnec më 30 maj 2026. Biba konsiderohet si figurë de facto drejtuese e kompanisë “Major Security”, e cila zyrtarisht figuron në emër të vjehrrës së tij, Shpresa Myzyrit, ndërsa më herët ai ka mbajtur edhe pozicion administratori.
