Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu, njoftoi sot se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka marrë vendim lidhur me gjyqtarët serbë dhe stafin gjyqësor serb që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.
Pas këtij vendimi ka reaguar Misioni i OSBE-së në Kosovë, i cili i ka bërë thirrje KGJK-së që pozitat e mbetura të lira të plotësohen sa më shpejt, përmes proceseve transparente, gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në meritë.
“OSBE-ja në Kosovë merr në dijeni vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës lidhur me kërkesat e gjyqtarëve dhe stafit gjyqësor serb të Kosovës për të tërhequr dorëheqjet e tyre”, thuhet në reagim.
Misioni i OSBE-së kërkoi që rekrutimi dhe emërimi të bëhen në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi, përfshirë ato që lidhen me përfaqësimin e komuniteteve.
Sipas OSBE-së, një sistem gjyqësor që përfaqëson komunitetet të cilave u shërben është i rëndësishëm për garantimin e qasjes së barabartë dhe efektive në drejtësi për të gjithë qytetarët.
