Është arrestuar në Levan 29-vjeçari Sokrat V., i dyshuar për vrasjen me thikë të një shtetasi francez rreth 20 vjeç në Ksamil.
Ai u lokalizua nga Policia i fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një 31-vjeçare turke, ndërsa pasagjer ishte një 38-vjeçar, gjithashtu shtetas turk.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:15, kur shtetasi francez me inicialet M. M. u gjet pa shenja jete në shezlongët e plazhit, përpara një lokali në zonën turistike të Ksamilit.
Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se u godit me thikë pas një konflikti për motive të dobëta.
“Autori i dyshuar, shtetasi S. V., 29 vjeç, ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një 31-vjeçare, shtetase turke, ndërsa në automjet udhëtonte si pasagjer edhe një 38-vjeçar, shtetas turk. Autori i dyshuar dhe dy shtetasit turq u shoqëruan në DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale. Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Sokrat V. rezulton i dënuar në Angli në vitin 2024 me pesë vite burg për trafik narkotikësh dhe vepra të tjera penale.
Sipas raportimeve britanike, ai u arrestua pasi drejtonte një automjet të vjedhur dhe policia i gjeti kokainë, para dhe mjete të tjera të lidhura me aktivitetin kriminal.
Ai ishte përfshirë edhe në një tjetër ndjekje policore në Kent, ku po drejtonte një automjet me targa të klonuara dhe iu gjetën sërish qese me kokainë.
