Lajme

Paunoviqi vazhdon me deklarata skandaloze, Hyseni jep mesazh të fortë

Deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1999 do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, ka nxitur reagime të forta politike dhe ndërkombëtare.

Megjithatë, në vend që të tërhiqej ose të kërkonte falje, Paunoviq e ka thelluar edhe më tej skandalin, duke deklaruar për media serbe se edhe sot do ta “spastronte etnikisht Kosovën nga terroristët”, ndërsa pretendoi se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe se i referohej vetëm ushtarëve të UÇK-së.

Lidhur me këtë çështje, njohësi i zhvillimeve politike, Nehat Hyseni, për “Bota sot” ka vlerësuar se deklarata përbën një akt me pasoja të rënda politike dhe institucionale, duke e cilësuar reagimin e kongresistit amerikan Joe Wilson si një sinjal të qartë se toleranca ndaj glorifikimit të politikave kriminale të së kaluarës po zbehet.

Image
Nehat Hyseni

“Deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviq, sipas së cilës, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1999 do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, përfaqëson një nga deklaratat më të rënda politike të viteve të fundit në Ballkan. Ajo nuk është thjesht një provokim verbal apo një qëndrim i papërgjegjshëm individual. Duke qenë se është bërë nga një anëtare e Qeverisë së Serbisë, kjo deklaratë merr karakter institucional dhe ngre pikëpyetje serioze për orientimin politik, moral dhe ndërkombëtar të shtetit serb.

Reagimi i menjëhershëm i kongresistit amerikan Joe Ëilson, i cili e cilësoi këtë deklaratë si “të neveritshme” dhe kërkoi që Asambleja Parlamentare e OSBE-së të mos lejojë organizimin e sesionit të saj vjetor në Beograd në vitin 2027, nuk është thjesht një reagim emocional. Ai përfaqëson një sinjal politik me rëndësi të veçantë se demokracitë euroatlantike po e humbin durimin ndaj glorifikimit të politikave kriminale të viteve nëntëdhjetë dhe ndaj mungesës së ballafaqimit të Serbisë me të kaluarën”, ka thënë ai.

Më tej, Hyseni ka theksuar se glorifikimi i spastrimit etnik nuk mund të trajtohet si pjesë e debatit demokratik, pasi bëhet fjalë për një nga shkeljet më të rënda të së drejtës ndërkombëtare

“Në shoqëritë demokratike ekziston liria e shprehjes, por ajo nuk përfshin të drejtën për të glorifikuar krimet kundër njerëzimit. Spastrimi etnik nuk është një mendim politik dhe as një alternativë historike që mund të debatohet në mënyrë legjitime. Ai përbën një nga format më të rënda të shkeljes së së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe lidhet ngushtë me krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe, në rrethana të caktuara, edhe me gjenocidin.

Në Kosovë, gjatë viteve 1998–1999, regjimi i Sllobodan Millosheviqit zhvilloi një fushatë sistematike të dëbimit masiv të shqiptarëve. Mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre, mijëra civilë u vranë, qindra fshatra u dogjën dhe u kryen masakra që sot janë pjesë e dokumentacionit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Për këtë arsye, kur një ministre e Qeverisë së Serbisë deklaron se do ta kishte përfunduar atë projekt kriminal, ajo në thelb shpreh keqardhje që ai nuk u realizua plotësisht. Ky nuk është më një debat historik apo një interpretim politik i së kaluarës, por një relativizim dhe legjitimim i një politike kriminale që ka lënë pasoja të rënda humanitare dhe juridike”, ka shtuar ai.

Sipas tij, mungesa e përballjes së sinqertë të Serbisë me të kaluarën mbetet një nga sfidat më të mëdha për shoqërinë dhe institucionet e saj.

“Një nga problemet më serioze të Serbisë bashkëkohore mbetet mungesa e përballjes së sinqertë me të kaluarën. Ndryshe nga Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore, Serbia ende nuk ka zhvilluar një proces të mirëfilltë të reflektimit institucional dhe shoqëror mbi krimet e regjimit të Millosheviqit. Përkundrazi, në diskursin publik vazhdojnë të rehabilitohen figura të atij regjimi, të mohohen ose relativizohen krimet e luftës dhe të kontestohen vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Në këtë kontekst, deklarata e Snezhana Paunoviq nuk duhet parë si një rastësi apo si një gafë individuale. Ajo është simptomë e një kulture politike që ende nuk është shkëputur plotësisht nga logjika nacionaliste dhe shoviniste që prodhoi luftërat e përgjakshme të viteve nëntëdhjetë.

Pikërisht për këtë arsye reagimi i kongresistit amerikan Joe Ëilson ka një rëndësi të veçantë politike. Ai vjen nga një politikan me përvojë të gjatë në çështjet e sigurisë euroatlantike dhe nuk kufizohet vetëm në një dënim moral të deklaratës. Duke propozuar që Serbia të mos jetë organizatore e sesionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në vitin 2027, ai artikulon për herë të parë në mënyrë të qartë idenë se glorifikimi i spastrimit etnik nuk duhet të mbetet pa pasoja diplomatike dhe politike. Ky përbën një ndryshim cilësor në mënyrën se si komuniteti ndërkombëtar mund t’i përgjigjet retorikës që rehabiliton krimet e së kaluarës”, ka theksuar ai.

Në fund, Hyseni ka bërë thirrje për reagim institucional nga bashkësia ndërkombëtare, duke paralajmëruar se mungesa e pasojave do të krijonte një precedent të rrezikshëm.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk reagon ndaj deklaratave të tilla, krijohet një precedent i rrezikshëm, sipas të cilit apologjia për spastrimin etnik mund të kalojë pa asnjë përgjegjësi politike. Asnjë shtet që synon integrimin në Bashkimin Evropian nuk mund të tolerojë ministra apo zyrtarë të lartë që shprehin admirim ose keqardhje për politika të dënuara nga historia dhe nga drejtësia ndërkombëtare. Në shumë vende evropiane glorifikimi i nazizmit apo mohimi i Holokaustit përbën vepër penale. Në të njëjtën frymë duhet të trajtohet edhe glorifikimi i spastrimit etnik në Ballkan, sepse ai cenon themelet morale dhe juridike mbi të cilat është ndërtuar Evropa e pasluftës. Kërkesa për pasoja diplomatike nuk është hakmarrje politike, por mbrojtje e rendit juridik ndërkombëtar dhe e parimeve themelore të të drejtave të njeriut.

Të Ngjashme