Lajme

PDK kërkon hapjen e Kuvendit: Dehari të vazhdojë seancën konstituive

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar rikthimin e rendit kushtetues në vend dhe vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, duke i bërë thirrje kryesuesit të seancës, Avni Deharit, që ta hapë dhe ta vazhdojë procesin e konstituimit të legjislativit.

Në një reagim publik, PDK-ja ka theksuar se përgjegjësia e kryesuesit të seancës konstituive është e përcaktuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit.

Z. Dehari, ju rikujtojmë se roli juaj si kryesues i seancës konstituive, sipas moshës, është i përcaktuar dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Sipas kësaj partie, detyra e kryesuesit është të mundësojë zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në konstituimin e plotë të Kuvendit.

PDK-ja ka vlerësuar gjithashtu se vendimmarrja për vazhdimin e procesit nuk duhet të bazohet në vlerësime apo konsiderata politike.

“Nuk është në kompetencën tuaj që, mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike, të vendosni nëse dhe kur duhet të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit”, thuhet në deklaratë.

Partia Demokratike e Kosovës e ka përmbyllur reagimin me një thirrje të drejtpërdrejtë për hapjen e Kuvendit: “Reflektoni – HAPENI KUVENDIN!”.

Të Ngjashme