Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka bërë homazhe te Memoriali kushtuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në një postim në rrjetet sociale, PDK-ja tha se me respekt dhe përulje kujton të gjithë personat, fati i të cilëve ende mbetet i pazbardhur, duke shprehur solidaritet me familjet që prej më shumë se dy dekadash presin përgjigje për të afërmit e tyre.
“Me respekt dhe përulje kujtojmë të gjithë ata, fati i të cilëve ende mbetet i pazbardhur dhe qëndrojmë pranë familjeve që prej më shumë se dy dekadash presin përgjigje për më të dashurit e tyre”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Partia Demokratike e Kosovës theksoi se kërkimi për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe drejtësinë për ta duhet të vazhdojë deri në gjetjen e secilit prej tyre.
“E vërteta, drejtësia dhe kujtesa janë detyrim i përhershëm i yni”, thuhet në reagimin e PDK-së.
