Lajme

Për një javë konfirmohen edhe katër raste të reja me fruth në Kosovë

Katër raste të reja me fruth janë regjistruar javën e fundit në Kosovës.

Nga të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, gjithsej deri më tash janë konfirmuar 151 raste.

Sipas këtij instituti, vaksinimi kundër fruthit është masa më e rëndësishme dhe e sigurt për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe komunitetit.

“Të dhënat tregojnë se mbi 95% e rasteve të konfirmuara me fruth janë te personat e pavaksinuar me vaksinën MMR, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e vaksinimit në mbrojtjen e fëmijëve nga fruthi. Kjo tregon qartë rëndësinë e vaksinimit në mbrojtjen e fëmijëve nga fruthi.”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Ky institut ka ftuar qytetarët që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.

“Njoftojmë qytetarët se krahas vaksinimit të rregullt sipas kalendarit të vaksinimit, është intensifikuar edhe vaksinimi i vonuar (catch-up), duke u mundësuar vaksinimin e fëmijëve që për arsye të ndryshme kanë shtyrë vaksinimin. Gjatë këtij viti, rreth 2,500 fëmijë të grup-moshës 2–5 vjeç janë vaksinuar përmes vaksinimit catch-up, duke dëshmuar angazhimin e prindërve për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve të tyre.”, thuhet në njoftim.

IKShPK-ja ka vlerësuar pozitivisht angazhimin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë, institucioneve dhe qytetarëve për rritjen e vaksinimit dhe mbrojtjen e fëmijëve nga fruthi.

“Çdo fëmijë i vaksinuar është një fëmijë më shumë i mbrojtur dhe një hap më afër ndërprerjes së përhapjes së sëmundjes.”, thuhet tutje në njoftim.

Të Ngjashme