Lajme

“Përbindëshi” Mlladiq nderohet, Fetoshi: Kërcënim për Kosovën

Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka kritikuar nderimin e Ratko Mlladiqit në Republikën Serbe dhe paralajmërimet për një varrim shtetëror në Serbi.

Ai vlerëson se glorifikimi i tij përbën vazhdimësi të politikave të së kaluarës dhe rrezikon stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, duke e lidhur me narrativën e “Botës Serbe” dhe pretendimet ndaj Kosovës.

Shkrimi i plotë:

KËRCËNIMI I NJË PËRBINDËSHI TË VDEKUR

Një “gjeneral” serb, i dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës për “gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte”, edhe për së vdekuri e kërcënon sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

Përbindëshi Ratko Mlladiq po nderohet në Republikën Serbe, ndërsa Bosnja ende vajton për fëmijët, gratë e burrat e kasaphanës së tij. Ndërkaq, në Serbi paralajmërohet ceremoni shtetërore varrimi, si mesazh strategjik për Kosovën dhe komunitetin euro-atlantik.

Përtej zërave të “mekur” civilë e humanitarë, glorifikimi shtetëror i Mlladiqit e konfirmon vazhdimësinë e politikës së Millosheviqit, të kamufluar me konceptin e “Botës Serbe”.

S’ka rëndësi a e shkel ligjin, siç vë në dukje Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, a është “skandal e turp” siç reagon Akademia për Zhvillim Demokratik në Novi Sad, apo pasojat eventuale në rrugën drejt BE-së, për sa kohë “nderimi” mbulohet me strategjinë e mohimit dhe “legjitimon” ideologjinë e “Serbisë së Madhe”.

Vuçiq mund të kujdeset që ta “zbusë” njoftimin e ministrit të tij, Nenad Vujiq, por nuk mund ta fshehë të vërtetën e kërcënimit, të mbështejellë me “viktimizim”.

Varrimi me “dinjitet” i Mlladiqit nuk është distancim ndaj gjenocidit dhe spastrimit etnik, është vetëm lojë fjalësh që kërcënon rajonin me fabrikimin narrativ për Kosovën “represive”.

Të Ngjashme