Lajme

Përditësim i motit për sot, IHK njofton për reshje shiu dhe zhvillim të reve konvektive

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sipas të dhënave meteorologjike, sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe relativisht i freskët për këtë periudhë të vitit.

IHK njofton se gjatë ditës priten intervale të shkurta me diell, por në pjesën më të madhe të vendit do të dominojnë vranësirat.

Instituti më tej njofton se për sot parashihen reshje shiu, të shoqëruara herë pas here me zhvillime lokale të reve konvektive.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9°C dhe 13°C, ndërsa temperaturat maksimale do të arrijnë 17°C deri në 20°C, duke shënuar vlera dukshëm më të ulëta se mesatarja e ditëve të fundit.

Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor dhe verior, me shpejtësi 1–11 m/s, e cila në intervale të shkurtra mund të jetë më e theksuar.

Kushtet biometeorologjike:

Kushtet biometeorologjike do të jenë kryesisht të favorshme për shumicën e popullsisë. Rënia e temperaturave dhe freskia e ajrit do të ndikojnë pozitivisht te personat që janë ndjerë të lodhur nga temperaturat e larta të ditëve të kaluara.

Personat me sëmundje kronike mund të kenë vetëm shqetësime të lehta për shkak të luhatjeve të motit.

Kushtet agrometeorologjike:

Reshjet e mundshme dhe temperaturat më të ulëta do të krijojnë kushte të favorshme për kulturat bujqësore, duke përmirësuar lagështinë në shtresat sipërfaqësore të tokës dhe duke ulur stresin termik te bimët. Këto kushte janë të dobishme sidomos për kulturat perimore, ndërsa fermerëve u rekomandohet që aktivitetet e mbrojtjes së bimëve t’i planifikojnë në intervalet pa reshje dhe të monitorojnë zhvillimin e sëmundjeve kërpudhore pas lagështisë së shtuar. 

Të Ngjashme