Pas ditëve të fundit që e kanë vendosur në qendër të vëmendjes publike, gazetarja Sidorela Gjoni ka reaguar për herë të parë përmes një mesazhi të gjatë në rrjetet sociale.
Moderatorja e “Shqipëria Live” ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur pas intervistës së saj me kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se ka lexuar çdo mesazh, koment dhe reagim që ka marrë gjatë këtyre ditëve.
“Kam lexuar çdo mesazh tuajin dhe ju ndiej pranë në çdo fjalë, postim, video, koment, pankartë, meme apo telefonatë. Jam mirënjohëse për vlerësimin dhe dashurinë tuaj, të secilit prej jush”, shkruan ajo.
Megjithatë, Sidorela është kujdesur të nënvizojë se nuk e sheh veten si protagoniste të situatës, duke kujtuar se gazetaria është profesioni që ushtron prej më shumë se një dekade.
“Unë e bëj këtë punë që nga viti 2014, me të njëjtën dëshirë dhe pasion, si në kohën kur isha gazetare sporti, ashtu edhe sot në aktualitet. Prandaj nuk ka vend për mitizime; kam bërë vetëm detyrën time”, është shprehur ajo.
Në reagimin e saj, gazetarja ka vlerësuar gjithashtu qytetarët që kanë zgjedhur të shprehin qëndrimet e tyre në mënyrë paqësore, duke theksuar se ndjek me vëmendje energjinë dhe mesazhet që po përcillen gjatë kësaj periudhe.
“E ndjek dhe e vlerësoj frymën, energjinë, qetësinë dhe mesazhet që po përcillni me vendosmëri çdo ditë si qytetarë të denjë. Uroj me gjithë zemër që në fund të bëhet më e mira për vendin tonë”, shkruan ajo.
Në fund të mesazhit, Sidorela Gjoni bën të ditur se nuk do të komentojë më tej mbi këtë çështje, duke e cilësuar këtë si reagimin e saj të fundit publik lidhur me situatën.
“Nuk do të ndalem më gjatë në këtë temë dhe ky është komenti im i fundit, sepse nuk e dua vëmendjen dhe as protagonizmin në rrjetet sociale. Nuk i kam kërkuar kurrë!”, shprehet moderatorja.
Ajo ka ftuar publikun që ta ndjekë në emisionin “Shqipëria Live”, ku është çdo ditë nga e hëna në të premte në Top Channel.
“Jam çdo ditë në ‘Shqipëria Live’, nga e hëna në të premte, në Top Channel, në orën 12:45. Aty PO dua të më ndiqni, sepse, ndryshe nga Instagrami, emisionin e bëj me shumë dëshirë”, përfundon mesazhi i saj.

