Artan Myrtaj sapo ishte liruar nga burgu kur u qëllua për vdekje pranë zonës së njohur si “Agjencia e Vjetër” në Sarandë, mëngjesin e sotëm. Në ngjarje mbeti i plagosur edhe Xhevdet Skëndaj, një kalimtar i rastit.
Myrtaj, 44 vjeç, i njohur me nofkën “Tani i Ruzhdiut”, kishte precedentë të mëparshëm penalë.
Ai u arrestua në vitin 2025, pasi dyshohej se ishte përfshirë në ngjarjen e ndodhur më 17 korrik 2025, në lagjen nr. 4 të Sarandës, ku u plagosën me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj, nga Kamza.
Nga hetimet rezultoi se autori i dyshuar i plagosjes ishte 44-vjeçari Ramadan Zoto.
Ndërsa Artan Myrtaj, Klaus Jacaj dhe Erjon Canaj dyshohej se e kishin ndihmuar Zoton të arratisej pas krimit. Për këtë arsye, ndaj tyre rëndonte akuza e “përkrahjes së autorit të krimit”.
Pikërisht plagosja e dy miqve të Ervis Lamajt, i konsideruar si kreu i një grupi të rrezikshëm kriminal, dyshohet se u bë shkak për nisjen e një sage të përgjakshme hakmarrjeje.
Fillimisht u vra me tritol Isuf Jacaj, babai i Klaus Jacajt. Më pas, tritol iu vendos edhe pronës së Ramadan Zotos.
Ky i fundit ndodhet në paraburgim së bashku me Klaus Jacajn, ndërsa Artan Myrtaj sapo ishte liruar nga burgu kur u ekzekutua mëngjesin e sotëm.
Në kërkim, si i dyshuar për përfshirje në plagosjen e Lamajt dhe Hajdarajt, mbetet vetëm Erjon Canaj.
Shkak i konfliktit mes palëve dyshohet se janë pronat.
Grupi i Ervis Lamajt dyshohet se ka fituar terren në Sarandë dhe se është përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale, përfshirë atentate mafioze dhe zhdukje personash.
Në kuadër të hetimit po verifikohet edhe një pistë që e lidh ngjarjen me atentatin ndaj Rexhep Isamilit, i cili u qëllua në një pikë karburanti.
Po ashtu, në vëmendjen e autoriteteve janë edhe ngjarje të tjera të rënda të viteve të fundit, përfshirë atentatin me tritol ndaj Isuf Jacajt, si dhe zhdukjen e Leonard Thodhorit dhe Fatmir Krasniqit, të cilët rezultojnë të zhdukur që prej vitit 2023.
Megjithatë, deri në këto momente nuk ka një konfirmim zyrtar që i lidh këto ngjarje me ekzekutimin e Artan Myrtajt.
Këto janë pista që po verifikohen nga grupi hetimor dhe autoritetet pritet të përcaktojnë nëse mes ngjarjeve ekziston një lidhje konkrete.
Pas atentatit, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie dhe grupi hetimor, ndërsa janë ngritur pika kontrolli dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Hetuesit po analizojnë kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi atentati, ndërsa pritet të mblidhen edhe prova të tjera që mund të ndihmojnë në zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe motivit të ekzekutimit.
