Aktuale

Përplasje me armë në Mamurras/ “Idënuari tentoi të shtypte policinë”, gazetari sjell detaje nga plagosja

Gazetari Eni Ferhati në një emision televiziv solli më shumë detaje përsa i përket ngjarjes së ndodhur ditën e sotme në aksin Mamurras-Laç, ku nga një operacion policor u neutralizuan dy persona, ku njëri prej tyre rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar nga Gjykata e Trentos në Itali me 7 vite burg për tentativë vrasjeje.

Sipas gazetarit, ky operacion ishte një operacion rutinë për kapjen autorëve të shpallur në kërkim. Ndërkohë, gazetari theksoi se në momentin e arrestimit të dy të rinjtë kanë tentuar të përplasnin me automjet efektivët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale.

“Ka qenë një operacion rutinë i specialistëve të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme, një operacion që vijon prej kohësh për arrestimin e personave që kërkohen prej kohësh nga autoritetet e huaja.

Ngjarja ka ndodhur në mesditë. Është identifikuar automjeti me të cilin lëviste 23-vjeçari Leonard Dema, i cili identifikohet se është një person i kërkuar nga drejtësia italiane dhe gjatë operacionit është bllokuar në aksin Mamurras-Laç.

Brenda automjetit është identifikuar edhe një person tjetër, i cili ka ndërhyrë ndaj agjentëve të forcave operacionale. Ka pasur rezistencë. Fillimisht është tentuar që efektivët e policisë, që kanë qenë sipas të dhënave me uniformë, të përplasen me automjet.

Ndërkohë, djali që ka qenë pasagjer, djali i ish-deputetit demokrat Amadeo Fufi, ka nxjerrë një send armë zjarri dhe në atë moment ka pasur një reagim të menjëhershëm të policisë, duke lënë të plagosur personin i cili kërkohej të arrestohej nga autoritetet italiane.

Është një ngjarje që kërkon hetim dhe Agjencia e Mbikëqyrjes po heton rastin për të parë nëse janë zbatuar procedurat standarde nga ana e policisë.

23-vjeçari është në Spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën, ndërsa është arrestuar edhe djali i ish-deputetit për armëmbajtje pa leje”, u shpreh gazetari.

Të Ngjashme