Hulumtimet e reja tregojnë se edhe rritjet e vogla të aktivitetit mund të kenë një ndikim të fuqishëm në shëndet dhe jetëgjatësi. Vetëm pesë minuta aktivitet të moderuar çdo ditë – siç është ecja e shpejtë, çiklizmi ose ngjitja e shkallëve – mund të parandalojnë rreth një në dhjetë vdekje të parakohshme, gjë që mund të ndihmojë miliona individë të jetojnë më gjatë.
Edhe pse kjo nuk do të thotë që vetëm pesë minuta ushtrime janë të mjaftueshme për t’u siguruar që të qëndroni të shëndetshëm, është një tregues se krahasuar me mosbërjen asgjë, kjo rritje e vogël e aktivitetit fizik mund të sjellë përmirësime në shëndetin e përgjithshëm.
Për ata që janë tashmë mjaft aktivë ose relativisht në formë, kryerja e pesë minutave më shumë ushtrimeve do të ketë një efekt më të vogël.
Por kjo tregon fuqinë e të bërit edhe vetëm të disa formave shumë bazike të ushtrimeve.
Hulumtimi i ri përfshinte një analizë në shkallë të gjerë të të dhënave nga 150,000 të rritur në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe Skandinavi.
“Ishte e habitshme që ndryshimet shumë të vogla në aktivitetin fizik prej pesë minutash në ditë kanë një ndikim kaq të madh në uljen e rrezikut për vdekshmëri të parakohshme”, thotë Ulf Ekelund, autori kryesor i hulumtimit dhe profesor i aktivitetit fizik dhe shëndetit në Shkollën Norvegjeze të Sportit.
Gjetjet zbulojnë përfitimet shëndetësore të kryerjes së pesë minutave ushtrime në të gjithë popullatën dhe jo në një nivel individual, thotë ai.
Ulja e pasivitetit u gjet gjithashtu e dobishme. Ulja e kohës së qëndrimit ulur çdo ditë me 30 minuta u lidh me një ulje prej 7% të vdekjeve të parakohshme në të gjithë popullatën.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse pasiviteti fizik është një shkak kryesor i sëmundjeve kronike dhe një vdekjeje të parakohshme.
Ekelund thotë se qëndrueshmëria është çelësi. “Filloni ngadalë dhe gradualisht rrisni sasinë,” thotë ai. Aktiviteti duhet të përshtatet sipas preferencave dhe aftësive të individit.”/BBC
