Operacioni “Switch Off” i EUROPOL-it, 22 janar 2026, goditi një rrjet global IPTV-je ilegale. Mbi 22 milionë përdorues, shtatë shtete të përfshira, një infrastrukturë e sofistikuar pastrimi parash. Në qendër të hetimit, një shtetas i Kosovës me inicialet P.B. Petrit Bahtijari, 41 vjeç, me banim në Lagjen Marigona të Prishtinës dhe prani të dokumentuar në Londër e Dubai.
Kur Policia e Kosovës shkoi për ta arrestuar, Bahtijari nuk gjendej më në banesë. Avokati i tij deklaroi se klienti ndodhej jashtë vendit.
Avokati i tij deklaroi se klienti ndodhej jashtë vendit. Informacione të ardhura nga shërbimet partnere i kanë deklaruar Pamfletit se Petrit Bahtijari është parë shpesh në Tiranë, në kafenetë dhe kazinotë e njohura të kryeqytetit, në shoqërinë e Vullnet Ademit.
Sipas këtyre informacioneve, të dy janë kumarxhinj të mëdhenj dhe lënë qindra mijëra euro në kazinotë shqiptare.
Petrit Bahtijari zotëron një kartel kompanish në Mbretërinë e Bashkuar. MEDIA VISION U.K. LTD, themeluar në 2018 me kapital 10 sterlina, dhe MEDIAVISION EU LTD, themeluar në 2024 dhe e mbajtur si kompani guaskë.
Të dyja kompanitë ndajnë të njëjtën adresë në Apt 7 Harbour Reach, SW6 2SS, Londër. Të dyja kanë kaluar nga tre procedura strike-off secila, duke i shpëtuar shpërndarjes së detyruar përmes ngarkimit të llogarive me vonesë. Llogaritë janë të kategorisë “micro”, transparencë minimale financiare.
MEDIAVISION EU LTD u riemërtua nga MV E.U LTD vetëm një muaj pas operacionit “Switch Off”, më 19 dhjetor 2025.
Si vend rezidence i Bahtijarit pas largimit nga MEDIA VISION UK figuron Emiratet e Bashkuara Arabe. Në Dubai mban prona dhe një kompani tjetër, Mediavision UAE. Rrjeti shtrihet në Kosovë, Londër dhe Dubai dhe së fundmi në Tiranë; të gjitha me të njëjtin aktivitet të deklaruar: përfaqësim mediatik.
Lidhjet e Bahtijarit në Kosovë përfshijnë Bekim Osmanin, bos droge, dhe Arian Gjergjin, vëllain e Kreshnik Gjergjit. Pikërisht ky i fundit, Arian Gjergji, është i përfshirë në një rrjet të madh pastrimi parash përmes kazinove në Europë, nga Praga në Gjermani e Spanjë. Rrjeti i kazinove shërben si mekanizëm shpëlarjeje për miliona euro të ardhura nga aktivitete të paligjshme.
Vullnet Ademi, nga Shkupi, është ish-drejtor i Agjencisë për Investime të Huaja të Maqedonisë së Veriut, i emëruar nga BDI-ja dhe i shkarkuar në vitin 2019. Ortak biznesi me Zëvendësministrin e Punëve të Brendshme Nazim Bushi, person i lakuar për korrupsion dhe luks të shfrenuar.
Para 3 vitesh, Ademi ishte shënjestër e një atentati në lagjen Çair të Shkupit. Rasti u konsiderua “prishje pazaresh” mes mafies dhe duke e identifikuar Ademin si “nyjën lidhëse mes mafies turke dhe pushtetarëve të korruptuar të Shkupit”. Atentati ndodhi pas prishjes së marrëveshjeve mes grupeve kriminale. Ademi i mbijetoi dhe vijoi aktivitetin e tij.
Sipas indicieve të ardhura nga shërbimet sekrete, dyshja Bahtijari-Ademi po pastron para në Tiranë përmes prestanomëve.
Në këtë skemë, prestanomët kryejnë transaksionet dhe lëvizjet financiare, ndërsa dyshja ruan profilin publik të kumarxhinjve që shpenzojnë pa kriter në kafene dhe kazino.
Në vijim do të investigojmë për identitetet e plota të prestanomëve që operojnë në Tiranë, hallkat e tjera të rrjetit të pastrimit të parave, si dhe prona e biznese që fshehin pasurinë e dyshes Bahtijari-Ademi. Ky është vetëm filli i parë i një skeme që përfshin bosë droge, ish-drejtorë institucionesh, kompani guaskë në Londër e prona në Dubai e Tiranë. / Marrë nga Pamfleti
