Aktuale

Pjesë e bandës së Laert Haxhiut, GJKKO dënon me 2 vite burg të penduarin, Artan Tafani

Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për Kristi Bixhekun dhe Artan Tafanin, të cilët u gjykuan me procedurë të shkurtuar për veprat penale “shkatërrim i pronës me eksploziv”, “sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Trupi gjykues dënoi Kristi Bixhekun me 3 vite e 6 muaj burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij u ul në 2 vite e 4 muaj.

Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar 8 vite burg për Bixhekun, ose 6 vite me gjykim të shkurtuar, por ai u shpall i pafajshëm për disa prej episodeve të përfshira në akuzë. Ndërkohë, Artan Tafani u dënua me 7 vite burg. Si përfitues i gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij u reduktua në 4 vite e 8 muaj. Më pas, në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Gjykata e Posaçme e dënoi përfundimisht me 2 vite e 4 muaj burg. Vendimi u shpall nga trupa gjyqësore e përbërë nga Rudina Palloj kryesuese, me anëtarë Atalanta Zeqiraj dhe Besmir Stroka.

Prokuroria e Posaçme nga provat e mbledhura doli në konkluzionin se Kristi Bixheku në bashkëpunim me Laert Haxhiu, Artan Tafani dhe Erisiano Abedini vendosën sasi tritoli në dy raste në dëm të Bujar Turku, një episod i regjistruar në 1.11.2022 dhe tjetri ne 31.12.2022 në Lushnjë. Për episodin që lidhet me sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen e Genci Hidës, në Lushnjë, në periudhën Prill-Maj 2023, GJKKO e shpalli të pafajshëm Bixhekun.

Ndërsa Artan Tafani akuzohet se në bashkëveprim me Laert Haxhiu dhe Fatjon Veliun, siguroi kushtet dhe mjetet për vrasjen e Rexhep Ginës, në Lushnjë, më datë 6 korrik 2022, rreth orës 21:00. Bazuar në aktet e hetimit u arrit në konkluzionin se aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar u shtri nga muaji prill i vitit 2021 deri në muajin maj të vitit 2023, ku drejtuesi dhe organizatori i tij ishte Laert Haxhiu, një person i dënuar me burgim të përjetshëm për “Masakrën e Lushnjes”, teksa po gjykohet në GJKKO edhe për ngjarje të tjera kriminale.

Të Ngjashme