Një skandal i rëndë ka tronditur së fundmi institucionin e OSHEE-së. Mësohet se zyrat e shtetit janë kthyer në arenë përleshjesh fizike. Burime brenda institucionit bëjnë me dije se një sherr me grushte ka degjeneruar mes Drejtorit të Auditit dhe një prej audituesve, duke nxjerrë në pah tensionet e forta dhe degradimin e administratës. Sipas informacioneve që disponon gazeta “SOT”, konflikti ka nisur pasi drejtori i ka hequr ditët e punës audituesit, me argumentin e mosparaqitjes në detyrë.
Ky veprim nuk është pritur mirë nga ky i fundit, i cili raportohet se gëzon mbrojtje politike si besnik i ish-ministres Belinda Balluku. Audituesi në fjalë, ka sulmuar fizikisht drejtorin brenda ambienteve të punës, ndërkohë që sherri ka vijuar edhe jashtë tyre. Ajo që e bën këtë ngjarje edhe më shqetësuese është rrjeta e influencës që rrethon protagonistin e sherrit.
Audituesi është zari i Ballukut që kontrollon edhe pastrimin e parave nëpërmjet të vëllait. Përveç konflikteve në zyrë, punonjësi në fjalë dyshohet gjithashtu se ka braktisur detyrën e tij zyrtare për t’u angazhuar totalisht në politikë. Ndërkohë që duhet të ishte në shërbim të shtetit, ai raportohet se bënte fushatë intensive për Belinda Ballukun në qytetin e Lushnjes. Ky incident është një tregues i qartë i arrogancës së zyrtarëve që, të mbështetur nga lidhjet politike, nuk ngurrojnë të përdorin dhunën ndaj eprorëve kur u preken interesat apo kur u kërkohet llogari për mungesat në detyrë.
E pandehura Belinda Balluku po shkatërron PS në qarkun Fier
Pra siç shihet edhe pse Balluku nuk mban poste të larta, influenca e saj është e fortë në PS. Në artikujt e kaluar kemi raportuar se Balluku vazhdon të drejtojë qarkun e Fierit, pavarësisht të gjitha problemeve me drejtësinë, ku Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkon arrestimin e saj. Menjëherë pasi u rikonfirmua si drejtuese politike e Qarkut të Fierit, Balluku po vazhdon operacionin “fshesa” në strukturat e Partisë Socialiste në Fier dhe thuajse në gjithë qarkun.
E ngarkuar fuqiplotë nga Rama, pasi dyshohet se “pastroi” Erion Veliajn në Tiranë, pavarësisht se e ka humbur pushtetin në qeveri, Balluku kërkon të forcojë pozitat e saj në parti. Faktin se Balluku ka bërë namin me shkarkime, punësime dhe pazare nën tavolinë për interesat e saj e konfirmuan vetë socialistët në asamblenë për Qarkun Fier, e zhvilluar disa javë më parë në ambientet e Teatri Bylis. Takimi është shoqëruar me tensione dhe debate të forta.
Një prej tyre, punonjës i kompanisë Albpetrol, akuzoi Ballukun për largime nga puna të socialistëve dhe zëvendësimin e tyre me mbështetës të partive të tjera, kryesisht nga radhët e demokratëve. Akuza ishte e drejtpërdrejtë se Balluku po i shërben demokratëve dhe jo socialistëve. Por Balluku i ka pohuar duke i thënë se: Ta them hapur para gjithë pjesëmarrësve këtu në asamble përse je larguar?
Në këto momente mësohet se ka ndërhyrë Rama për të shuar konfliktin, duke kërkuar që t’i lënë këto debate, nga frika se situata do të degjeneronte më tej, për shkak se gjithë Qarku i Fierit zien nga abuzimet e ish-vartëses së Edi Ramës, Belinda Balluku. Mirëpo përplasje pati edhe nga përfaqësues të zonës së Cakranit, të cilët shprehën pakënaqësi për drejtimin e partisë, duke deklaruar se “nuk është më Partia Socialiste që ka qenë”, por një strukturë me interesa të ngushta.
