Suzana Mushkolaj, ka reaguar ashpër ndaj opozitës, duke e akuzuar për sabotim institucional dhe bashkëpunim me Listën Serbe.
Ajo ka deklaruar se “po ndahet shapi nga sheqeri”, duke theksuar se qytetarët duhet të përcaktohen kundër, siç u shpreh ajo, “krimit të organizuar politik dhe oligarkëve”.
Sipas Mushkolajt, interesat personale për zgjedhje të jashtëzakonshme po i kushtojnë Kosovës qindra miliona euro dhe po e rrezikojnë sovranitetin e vendit.
Shkrimi i plotë:
“Po ndahet shapi nga sheqeri”, apo “po ndahet gruri nga egjra”
Këto shprehje popullore përdoren për të treguar procesin e ndarjes së të mirës nga e keqja, të vërtetës nga gënjeshtra, ose – në këtë rast – të njerëzve të ndershëm nga ata të pandershëm, të korruptuarit nga të pakorruptuarit. Këtu secili do ta përcaktojë se në cilën anë të historisë do të qëndrojë – ku do të rreshtohet.
Po bashkohet “garda” e PLAN-it me Listën Serbe: fytyra të reja, por shefa të vjetër. Opozita arriti sukses përmes puçit ndaj qeverisë Kurti 3, duke bojkotuar dy herë, zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, çka e çoi vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme; si dhe për herë të dytë, zgjedhjen e Presidentit.
Opozita e ka dëshmuar se është në gjendje të luajë lojërat më të ndyta, të sabotojë dhe të shantazhojë shtetin, duke e mbajtur peng pa u skuqur fare.
Pse? Shumë e qartë – edhe një fëmijë e kupton: për të mos humbur pasurinë e pajustifikuar, për t’i ikur burgut dhe, natyrisht, për të vazhduar plaçkitjen dhe uzurpimin e vendit.
Interesi personal për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme po i kushton Kosovës qindra miliona euro, ndërkohë që qytetarët po fundosen në mjerim e borxhe, ndërsa të rinjtë po e braktisin vendin e tyre për një mbijetesë më të mirë.
Kush ka një pikë gjaku dhe një copë fytyrë, i thotë JO krimit të organizuar politik dhe oligarkëve, të cilët, bashkë me Listën Serbe, jo vetëm që po e varfërojnë qytetarin dhe shtetin, por po e rrezikojnë edhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
