Lajme

“Po gënjen publikisht” – Enver Dugolli kërcënon me padi kandidatin e PDK-së

Enver Dugolli ka reaguar ndaj deklaratave të kandidatit të PDK-së, Visar Korenica, duke i cilësuar ato si gënjeshtra dhe shpifje publike.

Dugolli ka mohuar pretendimin se djali i tij është punësuar në OSHP, duke thënë se nuk ka asnjë familjar që punon apo ka punuar ndonjëherë në këtë institucion.

Ai i ka kërkuar Korenicës që brenda tri ditësh ta tërheqë postimin nga Facebook dhe të kërkojë falje publike, duke paralajmëruar se në të kundërtën do të ngrejë padi për shpifje dhe dëmtim të reputacionit.

Reagimi i plotë i Dugollit:

Kandidati për deputet i PDK-së, Visar Korenica, ka gënjyer dhe ka shpifur publikisht kundër meje, me qëllim të dëmtimit të reputacionit tim dhe të besimit të qytetarëve, duke pretenduar në mënyrë të pavërtetë se djali im është punësuar në OSHP.

Ky pretendim është i rremë. Unë nuk kam asnjë djalë që punon apo ka punuar ndonjëherë në OSHP, prandaj kjo gënjeshtër dhe shpifje nuk mund të kalojë pa përgjegjësi.

Bazuar në Ligjin Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, konkretisht në nenin 12, kërkoj nga kandidati për deputet i PDK-së, Visar Korenica, që ta tërheqë menjëherë postimin e publikuar në rrjetin social Facebook dhe të kërkojë falje publike për këtë pretendim të pavërtetë.

Në të kundërtën, nëse brenda tri (3) ditësh nuk e tërheq postimin dhe nuk kërkon falje publike, do të ushtroj të drejtën time ligjore për ngritjen e padisë për shpifje dhe dëmtim të qëllimshëm të reputacionit.

Të Ngjashme