Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mesditën e sotme në Tiranë, duke shkaktuar plagosjen e babait të ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.
Sipas burimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00 në rrugën “Bardhyl”, një nga zonat me qarkullim të dendur në kryeqytet.
Mësohet se Luan Pirdeni, 87 vjeç, po lëvizte me biçikletë në momentin kur është përplasur nga një automjet. Përplasja ka qenë e fortë, duke i shkaktuar të moshuarit dëmtime serioze në trup.
Menjëherë pas aksidentit, ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin intensiv të mjekëve. Burime nga spitali bëjnë me dije se gjendja e tij shëndetësore paraqitet e rëndë.
Ndërkohë, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit, si dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e drejtuesit të automjetit të përfshirë në ngjarje.
