Policia e Kosovës ka paralajmëruar qytetarët dhe institucionet për një e-mail mashtrues që po dërgohet në adresa të ndryshme elektronike, kinse në emër të ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Fehmi Hoti, dhe Agjencisë së Kosovës për Siguri Kibernetike, përcjell Bota sot.
Sipas njoftimit zyrtar, mesazhi me titullin “Raport: Krim Kibernetik/Droga të paligjshme” përmban kërcënime për arrestim nëse pranuesit nuk paraqiten brenda 24 orëve në polici.
Policia ka bërë të ditur se ky nuk është dokument zyrtar dhe ka kërkuar që qytetarët ta injorojnë, të mos ndërmarrin veprime dhe të mos kthejnë përgjigje.
Ndërkohë, institucionet kanë njoftuar se rasti do të trajtohet dhe do të ndërmerren hapa të mëtejmë.
