Lajme

Policia sekuestron pajisje telekomunikuese, dyshohet për keqpërdorim gjatë testit për patentë shofer – katër persona dërgohen në mbajtje

Policia e Kosovës ka sekuestruar pajisje telekomunikuese, për të cilat dyshohet se janë përdorur për t’u ndihmuar kandidatëve gjatë testit me shkrim për patentë shofer.

Rasti është hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësia Rajonale në Mitrovicë-Jug, pas pranimit të informacioneve për veprimtari të kundërligjshme.

Më 31 gusht, policia ka ndaluar një automjet dhe gjatë kontrollit ka gjetur pajisje të dyshuara për komunikim gjatë testimit. Me autorizim të Prokurorit të Shtetit janë kryer edhe bastisje në dy lokacione, por aty nuk janë gjetur sende të dyshuara.

Si prova materiale janë konfiskuar pajisje komunikimi, të vendosura tek dy të dyshuar, si dhe katër telefona mobilë.

Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, katër persona të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa një tjetër është liruar dhe rasti ndaj tij do të procedohet në procedurë të rregullt. Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdon hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Komunikata e plotë:

Sekuestrohen pajisje telekomunikuese, dyshohet për keqpërdorim gjatë testit për patentë shofer

Prishtinë, më 31 gusht 2026

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësia Rajonale në Mitrovicë-Jug, ka ndërmarrë veprime operative dhe hetimore lidhur me dyshimet për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme me qëllim të ndihmës së kandidatëve për kalimin e testit me shkrim për patentë shofer.

Hetimet, të cilat kanë filluar në bazë të informacioneve të pranuara, kanë rezultuar me sigurimin e provave dhe informacioneve që ngrenë dyshime të arsyeshme se persona të caktuar, në bashkëveprim, kanë përdorur pajisje të ndryshme telekomunikuese dhe teknologjike për t’iu mundësuar kandidatëve marrjen e përgjigjeve nga distanca gjatë testimit.

Në kuadër të zhvillimit të mëtejmë të hetimeve, më 31 gusht 2026, Policia e Kosovës ka pranuar informacione lidhur me dyshimin se disa kandidatë do të hynin në testin me shkrim për patentë shofer duke përdorur pajisje të komunikimit.

Pas ndërmarrjes së veprimeve të menjëhershme policore, është ndaluar një automjet, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar pajisje të dyshuara për përdorim gjatë testimit.

Me autorizim të Prokurorit të Shtetit janë realizuar edhe bastisje në dy lokacione të ndryshme. Gjatë bastisjeve nuk janë gjetur sende të dyshuara.

Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar:

pajisje të komunikimit, vendosura tek të dy nga te dyshuarit; dhe

katër telefona mobilë.

Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, katër nga personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa një person është liruar dhe rasti ndaj tij do të procedohet në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë veprime të mëtejme hetimore me qëllim të dokumentimit të plotë të rastit dhe identifikimit të të gjithë personave të mundshëm të përfshirë.

Rasti mbetet nën hetim në Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Mitrovicë-Jug.

Të Ngjashme