Familja e veprimtarit Haki Imeri, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, duke kritikuar drejtuesit e Lidhja Demokratike e Kosovës dhe qasjen e tyre ndaj pushtetit.
Në reagimin e tyre, familja Imeri akuzon krerët e LDK-së për “standarde të dyfishta”, duke rikujtuar deklaratat e mëhershme se Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Guxo “nuk duhet t’i marrin postet kryesore të shtetit me 51.11% të votave”, ndërsa sipas tyre, vetë LDK-ja me vetëm 13 për qind të votave po synon postin e presidentit dhe kryeministrit.
“Ky është mashtrim brutal dhe abuzim me qytetarët e Kosovës. Dy standarde i ka Pashai i LDK-së”, thuhet në reagim.
Familja Imeri kritikon edhe presidenten Vjosa Osmani dhe kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke pretenduar se ata “po shiten si shpresë”, ndërsa sipas tyre qytetarët po e kuptojnë gjithnjë e më shumë interesin personal pas deklaratave politike.
Në reagim thuhet se hipokrizia politike “shumëfishohet sa herë afrohen zgjedhjet”, ndërsa përmendet edhe rikthimi i Osmanit në skenën politike nga Abdixhiku, pavarësisht kritikave të saj të mëhershme ndaj LDK-së.
“Kush e ka zakon tradhtinë politike, nuk e ndal dot me fjalë të bukura”, thuhet më tej.
Familja Imeri vlerëson se qytetarët sot janë më të informuar dhe nuk “mashtrohen me pompozitet e dinakëri”, duke shtuar se vota për këta politikanë “nuk është votë për ideologji apo shtet”, por për interesa personale.
Sipas tyre, qytetarët e Kosovës “e dinë mirë se kujt i shërbejnë këto kalkulime politike”.
Reagimi i plotë:
-Kreu/ret e LDK -se thonin se LVV dhe Guxo nuk duhet t’i marrin postet kryesore të shtetit me 51.11% të votave.
– Por vetë LDK, me vetëm 13%, synon edhe Presidenten edhe Kryeministrin.
-Kjo është etje për pushtet.Mashtrim brutal dhe abuzim me qytetaret e Kosoves . Dy standarde i ka Pashai, i LDK-se.
-Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku po shiten si “shpresë”, por qytetari po e sheh qartë interesin personal pas çdo deklarate.
-Hipokrizia e tyre shumefishohet , del në pah sa herë afrohen zgjedhjet .
-Lumir Abdixhiku e riktheu Vjosa Osmanin në skenë politike, edhe pse dihet mirë se ajo e ka goditur LDK-në nen brez sa herë i ka leverdisur.
-Dhe do ta bëjë përsëri. Kush e ka zakon tradhtinë politike, nuk e ndal dot me fjalë të bukura.
-Sot nuk është më koha kur qytetari mashtrohet me pompozitet dhe dinakëri.
-Informacioni është kudo dhe njerëzit e kuptojnë mirë kush punon për shtetin e kush për veten.
-Vota për këta dy nuk është votë për ideologji- shtet. Ata nuk janë as të djathtë, as të majtë.
– Janë politikanë pa bosht politik, të lidhur vetëm me interesin personal.
-Qytetari i Kosovës e di mirë se kujt i shërbejnë këto kalkulime politike
