Rreth 300 serbë, kryesisht të punësuar në institucione paralele të financuara nga Serbia, janë mbledhur sot para stacionit policor në Graçanicë, në mbështetje të drejtorëve të shkollave dhe qendrave shëndetësore që u arrestuan një ditë më parë nën dyshimet për ushtrim presioni ndaj votuesve.
Tubimi nisi rreth orës 13:00 dhe përfundoi pas afro 40 minutash, pa incidente. Gjatë protestës nuk pati fjalime zyrtare dhe nuk u paraqitën kërkesa publike nga organizatorët apo pjesëmarrësit.
Megjithatë, një moment pakënaqësie u shkaktua nga paraqitja e Igor Jovanoviqit, përfaqësues i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, e udhëhequr nga Nenad Rashiq.
Bashkëshortja e Jovanoviqit së fundmi ka mbetur pa orë mësimi në tri shkolla në Kosovën qendrore.
Jovanoviq deklaroi se shumë prej të pranishmëve janë detyruar të marrin pjesë në tubim.
“Pyes të gjithë këta njerëz a kanë ardhur të japin mbështetje për 20 familje që kanë mbetur pa punë vetëm sepse nuk e mbështesin Listën Serbe, apo kanë ardhur të mbështesin drejtorët që kanë pranuar publikisht para punonjësve të tyre se kanë marrë urdhër, edhe pse e dinë se po shkelin ligjin”, tha ai.
Sipas tij, drejtuesit e institucioneve kanë ushtruar presion ndaj punonjësve duke u dhënë pushime të paligjshme nga puna.
“90 për qind e këtyre njerëzve nuk pajtohen me atë politikë. Të gjithë janë të shantazhuar, të gjithë janë thirrur nga shefat e tyre nga vendet e punës që të vijnë dhe të jenë të pranishëm”, deklaroi Jovanoviq.
Ai paralajmëroi edhe arrestime të tjera, duke thënë se “të gjithë ata që rrezikojnë serbët do të arrestohen”.
Ndryshe, në mesin e të arrestuarve nga Policia e Kosovës për kërcënim të votuesve janë drejtorë të institucioneve ilegale shëndetësore dhe arsimore, si dhe një asambleist i Komunës së Graçanicës.
