Presidenti kroat, Zoran Milanoviç ka refuzuar të miratojë ambasadorin e ri të Izraelit në Zagreb për shkak të “politikave të ndjekura nga autoritetet aktuale izraelite”.
“Ambasadori i propozuar i Shtetit të Izraelit nuk ka marrë dhe as nuk do të marrë pëlqimin e Presidentit të Republikës, Zoran Milanoviq”, tha zyra e presidentit në një deklaratë të hënën, të cituar nga Al Jazeera.
Milanoviç, një kritik i vendosur i luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza, tha se më parë ishte përmbajtur nga komentimi publik mbi këtë çështje, në përputhje me praktikën diplomatike, por tani argumentoi se Izraeli kishte thyer “rregullin e pashkruar” duke njoftuar ambasadorin e tij të propozuar para se të merrte pëlqimin.
Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit tha se po punonte me homologët e saj kroatë për të “zgjidhur çështjen e statusit të ambasadorit të ardhshëm të Izraelit në Zagreb”, në një deklaratë të publikuar nga The Times of Israel.
Tensionet midis Kroacisë dhe Izraelit kanë qenë në rritje për shkak të agresionit ushtarak të Izraelit në Gaza dhe në Lindjen e Mesme më të gjerë.
Në shkurt, Milanoviç njoftoi se anëtarët e forcave të armatosura të Kroacisë nuk do të bashkëpunonin me ushtrinë izraelite “për shkak të veprimeve të tyre të papranueshme dhe shkeljes së paparë” të ligjit ndërkombëtar humanitar.
