Lajme

“Presidenti pa emër, afati po skadon” – Publicisti paralajmëron për skenar të rrezikshëm

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës po shkon drejt fundit, ndërsa partitë parlamentare ende nuk kanë arritur një marrëveshje për një emër që do të mund të siguronte mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026.

Ndërkohë, edhe pas zhvillimeve të fundit politike dhe takimeve ndërmjet liderëve të partive, nuk është bërë publik ndonjë emër konkret për postin e presidentit. Takimi mes kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryeministrit Albin Kurti ka përfshirë edhe çështjen e presidentit, por pa u bërë e ditur ndonjë marrëveshje për një kandidat konkret.

Në këtë situatë, mundësia e dështimit për zgjedhjen e presidentit brenda afatit kushtetues ka rikthyer shqetësimin për një tjetër krizë institucionale dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Për publicistin Lis Bukuroca, aktualisht nuk ka shenja bindëse se kriza rreth zgjedhjes së presidentit mund të zgjidhet shpejt.

Ai vlerësoi se, pozicionet e partive vazhdojnë të jenë të ngurta dhe mungon gatishmëria për një kompromis të mirëfilltë institucional.

Në një prononcim për “Bota sot”, Bukuroca thotë se pas qëndrimeve të partive opozitare mund të qëndrojnë interesa më të gjera politike, duke e lidhur këtë edhe me çështjen e pasurisë së pajustifikueshme.

Image
Lis Bukuroca

“Për fat të keq, nuk shoh ndonjë shenjë bindëse që do të krijonte shpresë se kriza rreth zgjedhjes së Presidentit të Republikës mund të zgjidhet së shpejti. Përkundrazi, pozicionet e partive politike vazhdojnë të jenë të ngurta dhe mungon gatishmëria për një kompromis të mirëfilltë institucional.

Mendoj se barrikadimi i partive opozitare nuk lidhet vetëm me çështje të zakonshme politike. Pas tij qëndrojnë interesa shumë më të mëdha politike dhe, sipas mendimit tim, edhe frika nga ndryshimet që mund të prekin interesat e krijuara gjatë shumë viteve. Çështja e pasurisë së pajustifikueshme dhe mundësia e konfiskimit të saj mund të jetë një nga faktorët kryesorë”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Bukuroca përmend edhe situatën brenda LDK-së, duke vlerësuar se përçarjet e brendshme të kësaj partie e vështirësojnë krijimin e një shumice të qëndrueshme për presidentin.

“As LDK-ja nuk paraqitet sot si një subjekt plotësisht koherent. Përçarjet e brendshme janë bërë publike pikërisht rreth marrëveshjes për Presidentin dhe kjo e bën edhe më të vështirë arritjen e një shumice të qëndrueshme.”

Ndërsa sa i përket PDK-së, publicisti e sheh situatën përmes një tjetër dimensioni politik, duke e lidhur atë me identitetin e kësaj partie dhe zhvillimet rreth ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë.

“Te PDK-ja shoh një problem tjetër politik. Bedri Hamza drejton një parti identiteti politik i së cilës vazhdon të jetë i lidhur fuqishëm me trashëgiminë e UÇK-së, ndërkohë që ai vetë nuk e ka biografinë e një ish-pjesëtari të UÇK-së. Kjo e vendos atë nën një presion të madh të brendshëm politik dhe e kufizon hapësirën e tij për kompromis. Pas aktgjykimit të fundit në Hagë, kjo lidhje është bërë edhe më e dukshme në diskursin politik të PDK-së”, shtjelloi publicisti.

Në këtë pikë, ai thotë se çështja e ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë po ndërthuret me betejën e brendshme politike në Kosovë, por paralajmëron se këto procese duhet të trajtohen të ndara nga funksionimi i institucioneve të vendit.

“Prandaj kam përshtypjen se çështja e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë po ndërthuret gjithnjë e më shumë me betejën e brendshme politike në Kosovë. Kjo është e rrezikshme, sepse përgjegjësia e institucioneve të Kosovës dhe proceset gjyqësore duhet të mbeten dy çështje të ndara. Qeveria mund të mbrojë interesat e Kosovës dhe të kërkojë respektimin e të drejtave të të akuzuarve, por nuk mund të sillet sikur vendimet e një gjykate mund të anulohen me vullnet politik.”

Ai thekson gjithashtu se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë krijuar mbi bazën e legjislacionit të Kosovës dhe kanë mbështetje ndërkombëtare, prandaj, sipas tij, çdo vendim politik që prek këtë çështje duhet të marrë parasysh edhe pasojat ndërkombëtare.

“Duhet pasur parasysh gjithashtu se Dhomat e Specializuara janë institucione të krijuara mbi bazën e legjislacionit të Kosovës dhe gëzojnë mbështetje të fuqishme ndërkombëtare. Prandaj, çdo përpjekje politike për t’i sfiduar ato duhet të marrë parasysh edhe pasojat për raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.”

Në këto rrethana, publicisti nuk sheh ende gatishmëri të mjaftueshme ndërmjet forcave kryesore politike për një kompromis rreth presidentit.

“Në këto rrethana, unë nuk shoh ende gatishmëri të mjaftueshme ndërmjet forcave kryesore politike për një kompromis.

Problemi më i madh, sipas meje, nuk është vetëm se kush do të jetë Presidenti i ardhshëm. Problemi është se partitë po e trajtojnë funksionimin e shtetit si pjesë të betejës së tyre taktike. Kur institucionet shndërrohen në instrument presioni ndërpartiak, çmimin nuk e paguan një parti e vetme – e paguan Kosova!” – përmbylli Lis Bukuroca për “Bota sot”.

Të Ngjashme