Lajme

Propaganda ruse- serbe për “serbët në Kosovë”, eksperti “zbulon” çka fshihet pas kësaj: Synimi është destabilizimi i Kosovës dhe Ballkanit

Serbia e Rusia vazhdojnë me propaganda për Kosovën dhe shtetësinë e saj.

Të martën, media shtetërore ruse “Russia Today” ka publikuar një artikull me narrativë propagandistike, duke tentuar të krijojë perceptimin se komuniteti serb në Kosovë po përballet me ndjekje nga institucionet vendore.

Në artikull përmendet edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndërsa veprimet e institucioneve të Kosovës paraqiten si “fushatë arrestimesh ndaj serbëve”.

“Për shkak të flamujve serb, këngëve nacionaliste dhe krimeve të luftës, Kurti për pesë vjet arrestoi mbi 150 serbë në Kosovë”, thuhet në titullin e artikullit, i cili e paraqet zbatimin e ligjit si veprim të motivuar politikisht dhe jo si proces institucional.

Artikulli vazhdon me narrativën serbo-ruse dhe mohon shtetësinë e Kosovës, duke e cilësuar atë si “shtet të rremë”. Gjithashtu, rastet që lidhen me dyshime për krime lufte, terrorizëm, cenim të rendit kushtetues apo nxitje të urrejtjes dhe nacionalizmit paraqiten si arrestime të kryera për shkak të përdorimit të simboleve kombëtare apo këngëve serbe.

Ndërkohë, në Kosovë së fundmi tre serbë janë dënuar për rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit. Po ashtu, gjatë vitit të kaluar janë raportuar arrestime të personave nën dyshime për spiunazh, ndërsa në periudhën e fundit autoritetet kanë ndërmarrë veprime edhe ndaj rasteve të dyshuara për presion dhe shantazh ndaj votuesve në favor të Listës Serbe, në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Në artikull, RT pretendon gjithashtu se “vetëm gjatë gjashtë ditëve të fundit, në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, Albin Kurti dhe policia e tij kanë arrestuar 13 serbë në Kosovë”, duke përfshirë raste që sipas autoriteteve kosovare lidhen me ndikim të paligjshëm në procesin zgjedhor dhe incidente të tjera të hetuara nga organet e rendit.

Institucionet e Kosovës kanë deklaruar vazhdimisht se mbeten të përkushtuara në luftimin e terrorizmit, spiunazhit dhe çdo aktiviteti që cenon sigurinë publike dhe rendin kushtetues të vendit.

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, thotë se narrative se “serbët në Kosovë po persekutohen”, është një konstrukt propagandistik që synon të deformojë realitetin në terren dhe të paraqes zbatimin e ligjit si represion etnik.

Sipas tij, këto janë pretendime tipke të cilat përdoren nga Kremlini për të prodhuar tension, polarizim dhe destabilitet politik.

“Si studiues dhe hulumtues i sigurisë, e konsideroj artikullin e publikuar nga Russia Today jo si raportim objektiv medial, por si pjesë të një strategjie të mirëfilltë të luftës informative dhe propagandës gjeopolitike ruse në Ballkan. Narrativa se “serbët në Kosovë po persekutohen” është një konstrukt propagandistik që synon të deformojë realitetin në terren dhe të paraqes zbatimin e ligjit si represion etnik. Pretendimet se institucionet e Kosovës po zhvillojnë “fushatë arrestimesh ndaj serbëve” janë tipike për mekanizmat e dezinformimit strategjik që Kremlini përdor në rajone ku dëshiron të prodhojë tension, polarizim dhe destabilitet politik. Arrestimet për krime lufte, sulme ndaj rendit kushtetues apo aktivitete ilegale nuk mund dhe nuk duhet të interpretohen mbi baza etnike, por mbi bazën e sundimit të ligjit dhe përgjegjësisë individuale”, thotë Dashevci.

Image
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci

Ai thotë se media ruse”Russia Today”, funksionon si instrument ndikimi politik dhe se bën propagandë selektive dhe jo gazetari profesionale.

“ Russia Today prej vitesh funksionon si instrument i ndikimit politik dhe psikologjik të Kremlinit, duke përdorur narrativa emocionale për të krijuar perceptimin se serbët në Kosovë janë viktima të një “shteti represiv”. Kjo është pjesë e një strategjie më të gjerë hibride, ku propaganda mediale përdoret paralelisht me tensionet politike dhe etnike për të minuar besimin në institucionet demokratike dhe aleancat euro-atlantike në Ballkan. Është domethënëse se në këto narrativa nuk përmenden asnjëherë strukturat ilegale në veri, sulmet ndaj Policisë së Kosovës, aktet e dhunës ndaj institucioneve shtetërore apo ndikimi destabilizues rus në rajon. Kjo tregon qartë se kemi të bëjmë me propagandë selektive dhe jo me gazetari profesionale”, shprehet eksperti.

Përgjigjja ndaj këtyre narrativave, sipas Dashevcit, duhet të jetë institucionale, profesionale dhe strategjike.

“Nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare, Kosova sot përballet jo vetëm me kërcënime tradicionale, por edhe me operacione të sofistikuara të luftës informative, ku objektivi kryesor është krijimi i konfuzionit, tensioneve ndëretnike dhe delegjitimimi i shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Prandaj, përgjigjja ndaj këtyre narrativave duhet të jetë institucionale, profesionale dhe strategjike përmes transparencës, diplomacisë aktive dhe ekspozimit të vazhdueshëm të dezinformatave që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit”, përfundon Dashevci.

Të Ngjashme