Lajme

Protesta e 32-të kundër investimit në Zvërnec

Qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile vijuan edhe sot maratonën e protestave kundër investimit në Zvërnec.

Në orën 19:00 nisi në Tiranë protesta e 32-të radhazi, ku kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i klasës aktuale politike

Ashtu si edhe në protestat e tjera grumbullimi i pjesëmarrësve nisi në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku u zhvillua tubimi.

Me pankarta në duar dhe thirrje për plotësimin e kërkesave të tyre, protesuesit vijuan tubimin para Kryeministrisë.

“Dita e 32-të, qytetarët janë ende këtu”; “Kryeministri poston, populli proteston, përgjegjësia mungon”; “32 ditë, mesazhi i qartë. Vetëm Rama ‘po përpiqet’ ta kuptojë“; “Nuk e blen dot heshtjen tonë me 5 mijë lekë për pensionistët” ishin disa prej pankartave që mbanin në dorë protestuesit.

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Mit’hat Havari e cilësoi si të pajustifikueshme dhunën e ushtruar nga policia gjatë protestës së djeshme para Kuvendit, ndërsa shtoi se vetë efektivët e Policisë janë ndër shtresat më të keqtrajtuara gjatë viteve të tranzicionit.

“Në 36 vite janë vrarë 300 policë, bij nënash, për këta bastardë. Studentët e Akademisë së Policisë janë helmuar dy herë nga tenderët e korrupsionit”, u shpreh ai.

Nga podiumi para Kryeministrisë, një biznesmen u shpreh se kjo protestë e shkundi qeverinë nga themelet dhe tashmë Rama po intimidon protestuesit.

“Armiku ynë i përbashkët quhet Edi Rama, në bashkëpunim me Parlamentin, të cilin do ta çojmë ne në nivelin e duhur. Kemi të rinj të arsimuar. Këta të PD-së janë ku thërret qameti. Largohuni të gjithë”, tha biznesmeni.

Një nga protestuesit siguroi se qytetarët mbeten të palëkundur në pesë kërkesat e tyre kryesore, ku më e rëndësishmja, sipas tij, është dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë së tij.

“Ne vijojmë të qëndrojmë të palëkundur në pesë kërkesat e artikuluara gjatë 32 ditëve të kësaj proteste. Kërkesa e parë, e panegociueshme, është dorëheqja e menjëhershme e Ramës dhe e qeverisë së tij. Ky është kryeministri më i korruptuar që kemi pasur deri më sot. Ka gjysmën e qeverisë në burg ose nën akuzë dhe po përpiqet t’i mbrojë përmes imunitetit të deputetit. Nuk duhet të harrojmë t’i kërkojmë SPAK-ut të përshpejtojë procedurat për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, gjë që do t’i hapte rrugë drejtësisë për të vepruar”, u shpreh protestuesi.

Organizatorët u kanë bërë në vijimësi thirrje qytetarëve nga i gjithë vendi, si edhe shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, t’i bashkohen protestës.

Sipas tyre, protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim deri në përmbushjen e kërkesave të paraqitura.

Të Ngjashme