Lajme

Protesta e 93-të në Tiranë

Protesta kundër investimit në Zvërnec ka vijuar sot në Tiranë, ku qytetarë e aktivistë të shoqërisë civile u mblodhën për të 93-tën ditë radhazi para godinës së Kryeministrisë.

Ashtu si çdo natë grumbullimi i protestuesve nisi në sheshin “Skënderbej” për të vijuar me marshimin drejt Kryeministrisë.

Protestuesit kundërshtuan projektin e planifikuar në zonën e Zvërnecit, ndërsa gjatë protestës parashtruan edhe një sërë kërkesash që lidhen me mbrojtjen e zonave të mbrojtura, investimet strategjike dhe politikat e qeverisë.

Krahas çështjes së Zvërnecit, protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e asaj që e cilësojnë si “kastë të vjetër” politike, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe ndryshimin e ligjit zgjedhor.

Në fjalën e mbajtur në podiumin para Kryeministrisë, aktivisti Ilir Xhemalaj paralajmëroi përshkallëzim të aksionit opozitar dhe protestave kundër qeverisë, duke bërë thirrje për mobilizim dhe mosbindje civile.

Xhemalaj deklaroi se protestuesit do të vijojnë të qëndrojnë në shesh dhe se, në vjeshtë pritet një fazë e re e protestave.

E nisur si një reagim ndaj ndikimit të pretenduar mjedisor të projektit turistik në Zvërnec, protesta tashmë ka marrë një karakter më të gjerë politik dhe institucional, me pjesëmarrësit që ngrenë shqetësime edhe për korrupsionin, punësimin dhe largimin e të rinjve nga vendi.

Të Ngjashme